Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A do të mbetet decertifikimi i deputetëve aktualë si i vetmi opsion nëse dështojnë ta konsitituojnë Kuvendin brenda afatit 12 ditor?

A do të mbetet decertifikimi i deputetëve aktualë si i vetmi opsion nëse dështojnë ta konsitituojnë Kuvendin brenda afatit 12 ditor?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Nuk ka dyshim se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese do të jetë subjekt i mëtutjeshëm i diskutimeve juridike dhe publike, megjithatë ai ka bërë të ditura dy parime kryesore në kontekst zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

E para që ky institucion nuk konsiderohet se është i themeluar pa zgjedhjen e përfaqësuesit serb. Dhe së dyti drejta e propozimit  për këtë pozitë i takon grupit më të më madh parlamentar të minoritetit serb. Mirëpo, hipotetikisht nëse ky i fundit vendos të mos e shfrytëzojë këtë detyrim me pretendimin për ta mbajtur të bllokuar konstiuimin e Kuvendit, atëherë Kuvendi mund të vazhdojë punën, përkundër kësaj tendence, me kusht që Kryesia të ketë kuorum në vendimmarrjen saj,  sipas rregullores së Kuvendit

Parimisht, vendimi i fundit Gjykatës Kushtetuese tregon se minoriteti serb nuk mund ta përdor përfaqësimin e tij në Kuvend si mekanizëm vetoje, por as shumica shqiptare nuk mund t’ua imponojë atyre kandidatin për nënkryetar. Mirëpo, a do të zhbllokohet konstituimi i Kuvendit edhe  pas këtij qartësimi, apo deputetet do ta konsumojnë afatin e mbetur prej 12 ditësh për t’i finalizuar detyrat e shtëpisë, është temë tjetër. Për më shumë, Gjykata nuk  e ka qartësuar se çka ndodh nëse  deputetët e shpërfillin këtë imperativ juridik.

Pra a janë zgjedhjet e jashtëzakonshme si opsioni i vetëm në tavolinë, apo mund të rekomandohet decertfikimi i atyre deputetëve që nuk do të demonstrojnë vullnet politik për të vepruar në koherencë me normat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës?

Personalisht, jam i bindur se ka pak gjasa që Kuvendi të konsitituohet para  12 tetorit. Mirëpo, duke qenë se shumë komuna do të shkojnë në balotazh, atëherë gjasat janë minimale që një gjë e tillë të bëhet edhe brenda afatit kushtetues. Sepse, asnjëra prej partive të shumicës shqiptare, sikur Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të “guxonin” të bënin kompromis me kartën e tyre nacionaliste kundër Listës Serbe, në këtë atmosferë elektorale.

Ndërkohë, në disa prej aktgjykimeve të mëhershme, Gjykata Kushtetuese, i kishte rekomanduar deputetet që t’i shmangin zgjedhjet e jashtëzakonshme. Me këtë rast, nëse ky institucion i qëndron besnik këtij instruksioni, dhe pas dështimit eventual të deputetëve për të vepruar në pajtim obligimin që e kanë marr para sovranit, atëherë opsioni më i besueshëm për shtegdalje nga ky ngërç mbetet fillimi i procedurave për decertfikimin e deputetëve aktualë dhe zëvendësimin e tyre me ata që janë në listë të pritjes.

Shkuarja në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme do të ishte legjitimim i strategjisë së tyre të bllokadës si dhe ndëshkim i sovranit pasi të parët nuk kanë pasur vullnet ta materializojnë vullnetin  e tij.

Në këtë kontekst, është alogjike të ndëshkohet ky i fundit për shkak të abuzimeve të parit. Zgjedhjet e reja mund të imponohen si solucion vetëm nëse edhe ata që janë në listë të pritjes dëshirojnë ta ndjekin shembullin e tyre e jo detyrimet kushtetuese.