Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “A do të ketë zgjidhje apo zgjedhje të reja?”

“A do të ketë zgjidhje apo zgjedhje të reja?”

Pas katër ditësh nga dështimi i formimit të qeverisë së re të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim krerët e partive politike.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi për media i Presidencës, Bekim Kupina, i cili ka njoftuar se takimi do të mbahet të premten, në orën 12:00, në objektin e Presidencës.

Ky takim pritet të jetë vendimtar për të ardhmen politike të vendit, ndërsa vëmendja është përqendruar tek pyetja kryesore:

A do të ketë zgjidhje apo zgjedhje të reja?

Në një prononcim për Televizionin Arbëria, analisti politik Blerim Burjani thotë se kjo është një procedurë e zakonshme pas dështimit të partisë fituese për të formuar qeverinë.

“Pres të dihet a do të ketë zgjidhje apo zgjedhje.

Kjo është një procedurë normale në raste kur dështon partia fituese të formojë qeverinë.

Shpresojmë të arrihet një marrëveshje dhe mirëkuptim mes partive politike dhe presidentes, e cila luan rolin e lehtësueses dhe është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve”

Burjani shton se zgjedhjet e reja duhet të mbeten opsioni i fundit, vetëm nëse nuk arrihet një marrëveshje për formimin e një koalicioni të mundshëm.

“Zgjedhjet janë të kushtueshme dhe kërkojnë shumë kohë e energji. Nëse është e pamundur të krijohet një shumicë, atëherë mund të shqyrtohet ideja e një qeverie kalimtare. Por nuk besoj se Lëvizja Vetëvendosje do ta pranojë një zgjidhje të tillë. Megjithatë, çdo vonesë e zgjatur e lë shtetin në ngërç dhe qytetarët përballë pasigurisë”

Takimi i së premtes pritet të qartësojë nëse Kosova do të shkojë drejt një marrëveshjeje për qeveri të re, apo drejt zgjedhjeve të parakohshme.

E gjithë vëmendja politike tashmë është në Presidencë, ku nga ora 12:00 të premten, pritet të mësohet nëse vendi do të marrë një drejtim të ri politik, apo do të hyjë në një cikël të ri zgjedhor.

Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen nesër tek Presidentja. /TV Arbëria