Shkruan: Agron Hoti
Rivaliteti mes Strukturës Drejtuese të UÇK-së dhe LDK-së shkonte deri atje sa njëra tjetrën e etiketonin ose enveriste e staliniste, ose titiste e udbashiste. Edhe sot në biseda private mbretëron i njëjti diskurs. Në vija të trasha kështu ushqeheshin dhe përçaheshin politikisht qytetarët në Kosovë e diasporë.
Pra, secila palë etiketonte tjetrën si komuniste. Sado që këta dy krahë megjithatë u afruan politikisht për ta pavarësuar dhe shtetndërtuar Kosovën, në brenditë e tyre ziente fryma e përçarjes dhe urrejtjes.
Shumë mbështetës të LDK-së mendojnë edhe sot që Kosova do të ishte çliruar pa luftë dhe se pavarësinë do të duhej ta shpallte Rugova, por këtë e pamundësuan – siç e thonë ata – enveristët dhe stalinistët që drejtonin UÇK-në. Prandaj, edhe sot e kësaj dite, mbeten të zhgënjyer nga kjo.
Nga ana tjetër, shumë mbështetës të Strukturës Drejtuese të UÇK-së e shohin LDK-në si pengesë apo sabotazh titist apo udbashesk kundër mobilizimit për luftë çlirimtare kundër robërisë serbe. Ata besojnë se Rugova e kishte vonuar procesin e çlirimit të Kosovës dhe ndihen të kënaqur që ishte Hashim Thaçi ai që e shpalli pavarësinë.
Mbështetës të LDK-së përhapin teori konspirative se VV-në e kishte formuar Struktura Drejtuese e UÇK-së për ta shkatërruar LDK-në. Kurse, mbështetësit e Strukturës Drejtuese të UÇK-së përhapin idenë se LDK dhe bashkësia ndërkombëtare mbështetën themelimin e Gjykatës Speciale dhe ardhjen e Albinit për ta mposhtur dhe shkatërruar trashëgiminë e UÇK-së.
Pak a shumë ky është diskursi dhe teoritë konspirative që vazhdon t’i mbajë të përçarë mbështetësit e LDK-së dhe ata të Strukturës Drejtuese të UÇK-së.
E kur ka rivalitet mes dy palëve, shpesh fiton i treti. Dhe kështu edhe ndodhi: fitoi Albini.
Ata nga Struktura Drejtuese e UÇK-së që nuk e donin LDK-në në koalicione dhe që kishin idealizëm në projektimin dhe ndërtimin e shtetit, në shumicë kaluan te Albini. Po ashtu, edhe shumë nga LDK-ja që ishin kundër bashkëpunimit me Strukturën Drejtuese të UÇK-së dhe që po ashtu kishin idealizëm në projektimin dhe ndërtimin e shtetit u orientuan drejt tij.
Ndërkohë, duke përfituar nga ky rivalitet, Albini ua hapi derën të pakënaqurve nga të dy krahët, madje ndërtoi edhe vetë një pjesë të këtij elektorati. Kështu ndërtoi një bazë që kundërshton si Strukturën Drejtuese të UÇK-së, ashtu edhe LDK-në.
Ish-mbështetësit e LDK-së e shohin tek Albini njeriun, që mposhti politikisht Strukturën Drejtuese të UÇK-së me theks të veçantë Hashim Thaçin me shokë, ndërsa ish-mbështetësit e kësaj të fundit e shohin te ai njeriun që po e dobëson dhe përfundimisht shkatërron LDK-në. Ndërkaq, ata që janë formuar politikisht brenda VV-së e konsiderojnë Albinin si njeriun që sfidoi të gjitha pushtetet e mëparshme, pavarësisht koalicioneve që kishin. Madje këta të fundit mendojnë që Kosova u çlirua në vitin 2021 jo në 1999.
Ndërkohë, opozita e sotme vazhdon të përballet me të njëjtin problem që kishte edhe kur ishte në pushtet. Dikur i bashkonte një “dashuri” sado e rreme, kurse sot, në opozitë, janë tërësisht të përçarë.
LDK-ja, nga frika se një ribashkim me Strukturën Drejtuese të UÇK-së do të mund t’i kushtojë elektorat, po humbet terren dhe po gllabërohet gjithnjë e më shumë nga Albini. Po ashtu, edhe Struktura Drejtuese e UÇK-së, nga e njëjta frikë, po përballet me të njëjtin fat.
Por e vërteta është që në kohën kur LDK dhe Struktura Drejtuese e UÇK-së kishin koalicione mes vete, këto dy forca, pavarësisht përçarjeve, kishin dukshëm më shumë vota sesa sot, kur nuk arrijnë të ndërtojnë një opozitarizëm të përbashkët. Duke e refuzuar këtë bashkëpunim, ato po e forcojnë edhe më tej Albinin, i cili vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për të pakënaqurit e tyre, ndonëse tash edhe brenda tij ka filluar të rritet pakënaqësia, e cila vetëm sa do të rritet nga paraliza totale që ka përfshirë vendin.
Sot rivaliteti kryesor është mes Albinit dhe një opozite që e kundërshton atë. Pyetja që shtrohet është: a do të dalë sërish një forcë e tretë politike, e aftë të ndërtojë një alternativë të re dhe të përmbledhë të pakënaqurit e Albinit dhe të opozitës?