Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A do ta shndërrojë Putini armëpushimin në mjet diplomatik për vazhdimin e qëllimeve të luftës në Ukrainë?

A do ta shndërrojë Putini armëpushimin në mjet diplomatik për vazhdimin e qëllimeve të luftës në Ukrainë?

 Shkruan: Afrim Kasolli

Në një kohë kur pak kush e priste, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me liderin bjellorus, Aleksandr Lukashenko, deklaroi se e përkrah në parim propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim në Ukrainë, por duke shtuar se hollësi të tjera duhet të adresohen, sikur se shembulli i furnizimit të Kievit me armë perëndimore.

Pra që kjo kohë të mos shndërrohet në intermexo për t’i ofruar frymëmarrje ushtrisë ukrainase si dhe duke mos harruar njohjen legale të territoreve të pushtuara në lindje të këtij shteti nga ushtria ruse. Ndërkohë, të njëjtin plan para dy dite e kishin pranuar edhe autoritetet e Ukrainës, gjatë negociatave që u zhvilluan në Arabi Saudite, me delegacionin amerikan të drejtuar nga Sekretari i shtetit, Marco Rubio Është interesant se qëndrimin afirmativ në parim për këtë armëpushim, lideri rus e dha pak pas kthimit nga rajoni Kursk, nga ky e inspektoi progresin e forcave ushtarake në rimarrjen e kontrollit të atij rajoni, i cili kishte kohë që ishte pushtuar nga ato ukrainase. Pushtim ky që ishte konsideruar njëri nga operaciont e më të suksesshme të Ukrainës kohën e fundit.

Shumë kush me të drejtë e ka shtuar dilemën se a mund të jetë ky veprim i befasishëm i Vladimir Putinit vetëm nja taktike dinake, e cila nuk është aspak në funksion të armëpushimit? Sepse duket alogjike që befas Kremlini të pajtohet për një skenar të tillë, kur nuk i kanë munguar në terren sukseset ushtarake. Apo mos edhe ai është i lodhur nga lufta dhe se e ka pritur me padurim angazhimin e presidentit Trump për ndalje të luftës si një exit strategji për shtegdalje nga situata ku ka rënë.  Të dy opsionet janë te munduara. Prandaj, njëra nga arsyet kryesore që Putin ka dërguar sinjale pro këtij armëpushimi ka të bëjë me kalkulimin e tij se ulja në tavolinë së bashku për përfaqësuesin tjetër të superfuqisë botërore, kryetarin amerikan Donald Trump, mund të jetë më profitabile, se sa vazhdimi i operacioneve ushtarake, për të pushtuar edhe ndonjë fshat me shumë, shkruan mediumi “The Guardian” .

Ai e tha qartë, se të gjitha shqetësimet që i ka për këtë plan, do t’i duhet t’’i adresojë në bisedë me kryetarin e SHBA-ve. Në këtë mënyrë Putin, e ka shansin ta shfajësojë vetën si përgjegjës për këtë luftë. Ngase ishte ish-kryetari amerikan, Joe Biden me përfaqësuesit e shteteve tjera perëndimore, që nuk i kanë marrë në konsideratë interesat e natyrshme gjeopolitike dhe shqetësimet e sigurisë së Moskës, për çka edhe u detyrua ta ndërmarr atë që ai e quan si operacion special me qëllim “demilitarizimin e Ukrainës” dhe “denazifikin e pushtetit në Kiev”. Në funksion të kësaj teze ai kishte deklaruar në një intervistë me gazetarin amerikan, Tucker Carlson, se kishte qenë shumë afër marrëveshjes me kryetarin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me ndërmjetësimin e liderit turk, Rexhep Taip Erdoan, por që sipas tij, ato dështuan për shkak të intrumentalizmit që i kishte bërë diplomacia perëndimore me theks të veçantë ajo britanike, kryetarit të Ukrainës me shpresën se në këtë luftë do të kolpasonte Rusia. Prandaj fakti që lideri i Kremlinit është i gatshëm për paqe pas ndryshimeve që kanë ndodhur në Shtëpinë e Bardhë, tregon se faji nuk ka qenë te ai. Ky narracion to të ishte kongruent edhe me atë të presidentit Trump, një për t’i plotësuar premtimet elektorale si dikush që do t’i jap fund kësaj lufte dhe dyta se ajo kishte shpërthyer për shkak të paaftësisë dhe gabimeve të ish-administratës demokrate. Në këtë mënyrë, po ashtu të dy presidentet do ta shtojnë gjithnjë e më shumë presionin për largim nga pushteti të kryetarit të Ukrainës si parakusht për “eliminimin e rrënjëve të kësaj lufte”.

Prandaj, pranimi eventual i armëpushimit nga lideri rus, duket që të mos jetë asgjë tjetër, pos vazhdim i qëllimeve të luftës me mjete politike. Sidoqoftë, përpos fakteve të sipër cekura, kjo gatishmëri e Putinit për “paqe” mund të jetë e kushtëzuar edhe nga gjendja e brendshme ekonomike. Në shkrimin “A mund të jetë Putini më i interesuar për ndalje të luftës në Ukrainë se sa vetë Trumpi?”, duke u bazuar në të dhënat e mediave ndërkombëtare pata vënë në pah se edhe humbjet ruse ne këtë luftë janë të jashtëzakonshme. Sot Rusia është njëri nga shtetet më të sanksionuara në botë. Lista e tyre përfshin deri në 20.000 ndalesa dhe si të tilla ato kanë krijuar pasoja në atë shtet. Kështu, sipas analistit Fareed Zakaria, në shkrimin “ Russia Is Ëeaker Than You Think” tashmë ky shtet është duke i humbur deri në 320 tanke dhe pjesë tjera të artilerisë, ndërkohë që mund t’i prodhojë vetëm 20 të tilla . Po ashtu, që nga shpërthimi i luftës i ka humbur deri 5000 mjete luftarake të këmbësorisë, kurse kompanitë e kontraktura për prodhimin e tyre mund ta kompensojnë këtë humbje me vetëm 200 pajisje në vit. Asgjë nuk e pasqyron më mirë këtë tendencë se sa riorientimi i buxhetit të shtetit, ku për vitin 2025 është paraparë që sektori i mbrojtjes t’i ketë në dispozicion deri në 40 për qind të shumës së tij. Nevoja për ushtarë nga Koreja e Veriut, tregon për mungesën gjithnjë e më te madhe të rekrutëve të rinj.

Mbingarkesa ekonomike e luftës ka filluar t’i jap frytet e saj, me mbi 9 për qind të inflacionit vjetor. Kurse, kompania Gazprom, që deri në vitin 2022 kuletës së shtetit ia siguronte deri 40 miliardë dollarë, që nga viti 2023 i ka 6.9 miliardë dollarë më pak për çdo vit. Prandaj, janë këto parametra që tregojnë se edhe Putini e ka të domosdoshme ndalimin e kësaj lufte. Dhe se nuk është se edhe atij nuk do t’i shërbejë kjo situatë për frymëmarrje.