Shkruan: Afrim Kasolli
Nuk ka dyshim se njëri nga synimet kryesore strategjike të presidentit Trump në negociatat me Rusinë, për sigurimin e një armëpushimi lidhur me luftën në Ukrainë, ka të bëjë edhe me përçarjen e mundshme të Rusisë nga Kina dhe Irani. Madje, edhe komunikata për media e Shtëpisë së Bardhë, e cila flet për diskutimin telefonik që kanë pasur së fundi të dy liderët, e potencon këtë fakt. Në fund të saj, thuhet se të dy liderët kanë ndarë “pikëpamjen se Irani nuk duhet të jetë kurrë në një pozitë për të shkatërruar Izraelin”. Ndonëse e njëjta gjë nuk pohohet në komunikatën e Kremlinit. E siç dihet, që kur ka shpërthyer lufta ne Ukraine, Moska dhe Tehrani, janë afruar gjithnjë e me teper. Prandaj, një izolim i këtij të fundit është interes strategjik për planet amerikane në Lindje të Mesme.
E njejta logjike i ka karakterizuar edhe raportet ndërmjet Kremlinit dhe Pekinit. Të dy kryeqendrat e kanë thelluar tej mase bashkëpunimin duke e nënshkruar edhe aleancën e tyre ndërshtetërore të pa limit. Ndërkohë, këto marrëdhënie janë bërë shqetesim primar për SHBA-të, sepse në këtë mënyrë rrezikohen interesat e Uashingtonit në Euro-Azi. Është e ditur prej kohësh se kush e kontrollon ketë hapësirë masive gjeopolitike njëkohësisht e ushtron hegjemonine planetare. Mirepo, edhe presidenti Putin në keto negociata shihet qartë se mëton të realizojë interesa tjera strategjike. Dhe ofertën amerikane për armëpushim e ka “pranuar” në funksion të maksimalizimit të tyre. Ai e ka bërë të ditur që moti se krahas shndërrimit të Ukrainës në një shtet vasal të Kremlinit, identike si Bjellorusia, po ashtu pretendon ta restaruoje hegjemoninë e dikurshme cariste. Në këtë kontekst, jo vetëm që do të anulohen njëherë e përgjithmonë planet e Kievit, për anëtarësim në NATO, por edhe tërheqjen e kësaj të fundit deri në kufijtë e Luftës së Ftohtë. Po ashtu, ai aspiron një rikthim të Rusisë si një aktor kryesor global, ku së bashku me ShBA-te, i ndajnë sferat e influencës duke e përjashtuar totalisht Evropën nga tavolina e ridizajnimit global. Dhe që të jetesohen këto ambicie nuk ka dyshim se parakusht mbetet thellimi i përçarjes së ShBA-ve me aleatet e saj tradicionalë dhe çmontimi i lidhjeve transatlantike.
Pra sikur presidenti Trump që afrimin me Putinin synon ta shndërrojë në mundësi të intersave më të mëdha gjeopolitike amerikane, po ashtu edhe ky fundit po kalkulon që negociatat për armëpushim në Ukrainë t’i përdor si trampolinë për rikthim nën ndikimin rus të atyre që i konsideron si zona te interesave tradicionale të Moskës.
Prandaj, edhe këto bisedime janë shndërruar edhe në një lloj konkurence se cili prej presidentëve do ta përçajë njëri-tjetrin nga aleatët e tyre. E dinakëria e Putinit nuk ka munguar në këtë skemë. Ai është afruar me presidentin amerikan pa e shprehur asnjë mllef publik ndaj aleatëve të tij. Kurse presidenti amerikan Donald Trump këtë gjë e ka bërë paralelisht me një kritikë ashpër publike ndaj aleatëve të SHBA-së në Evropë.