Shkruan: Agim Rexhepi
Është e pabesueshme, por edhe e dhimbshme, që në 35 vjetorin e vizitës së 7 senatorëve amerikanë në Kosovë një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë sonë institucionet e Kosovës e kaluan thuajse në heshtje.
Le të kujtojmë: Senati i Shteteve të Bashkuara ka 100 senatorë. Imagjinoni çfarë nderi të jashtëzakonshëm është që 7 prej tyre të vizitojnë një vend të vogël si Kosova, në vitin e errët 1990, kur shqiptarët e Kosovës ishin nën terror, pa zë, pa mbrojtje.
Nëse një gjë e tillë do t’i ndodhte Britanisë, Gjermanisë apo Francës, do të shënohej me ceremoni madhështore, me përkujtimore të nivelit më të lartë shtetëror.
E për ne? Harresë, justifikime dhe aktivitete minimale.
Është turp që Presidentja, Kryeministri, Ministritë, Komunat, institucionet arsimore e kulturore, nuk organizuan aktivitete për këtë datë historike.
Turp që 35-vjetori kaloi pa akademi solemne, pa një ekspozitë, pa një konferencë, pa një përkujtimore me të rinjtë e vendit.
E përgëzoj Kryetarin e Prishtinës për gjestin e vendosjes së luleve por ky veprim simbolik është vetëm një pikë uji në shkretëtirën e mungesës së vizionit. Kërkohet shumë më tepër.
Kjo nuk është thjesht një datë kalendarike. Është ditë e krenarisë sonë kombëtare. Është ditë kur Kosova u bë pjesë e axhendës së Senatit Amerikan. Është ditë kur u hap rruga drejt lirisë që gëzojmë sot.
Prandaj pyes publikisht: A do të mbushemi mend ndonjëherë? A do ta dimë ndonjëherë të vlerësojmë miqtë që na shpëtuan jetën?
Nëse jo, atëherë historia do të na gjykojë si popull pa kujtesë dhe pa mirënjohje.
Agim Rexhepi
Shoqata “Miqtë e Amerikës”
The Association “Friends of the USA”