Shkruan Afrim Kasolli
Pak para fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit pata shkruar se ato janë të një rëndësie të veçantë, sidomos për Partinë Demokratike të Kosovës. E para për shkak të konkurrencës politike me partitë tjera dhe veçanërisht me atë në pushtet, dhe e dyta për ta çliruar vetën nga tentakualat e klanit Bon Vivant. Një grup ky, që ka kohë që e ka marr peng edhe vullnetin demokratik të anëtarësisë së këtij subjekti politik nga bllokimi i zgjedhjeve të brendshme. Ndërkohë, kur po shkojmë drejt finalizimit të certifikimit të rezultatit zgjedhor, shihet qartë se ngritja elektorale e kësaj partie, ndonëse jo në nivel të kënaqshëm, nuk ka munguar. Nuk ka dyshim se kjo ngritje është meritë ekskluzive e kandidatit të kësaj partie për kryeministër Bedri Hamza. Kurse në rastin e dytë ka shënuar edhe prapakthim. Sipas të dhënave që janë prezantuar deri më tani, shihet qartë se të gjithë gjimnazistët kanë fituar ulëse në parlament, kurse kandidatë të këtij subjekti me një sfond historik dhe profesional të admirueshëm, mbeten jashtë dyerve të tij.
Atëherë shtrohet pyetja, se si është e mundur që të njëjtit ndonëse për katërt vjet u strukën në qerthullin e interesave të tyre private, befas të shndërrohen në figurat përfaqësuese kryesore të PDK-së? A po e transmeton në këtë mënyrë një mesazh ky subjekt, se sa më të depolitizuar e pa asnjë koncept politik të jenë kandidatet e saj aq më të mëdha janë shanset për katapultim në majat hierarkike partiake. Ku në vend të aksionit ditor dhe betejave konstante, në fund mjafton investimi në rrjetet sociale, propaganda mediale dhe pjesëmarrja në debate të paracaktuara, si çelës për sukses politik. Një imitim tipik i modelit të Lali Erit në politikë.
Përgjatë një mandati të plotë, të njëjtit i prodhuan dy ngjarje mediatike bombastike. Kur fillimisht ishin bërë pjesë e eventeve të modës, të organizuar nga dizajneri Valdrin Sahiti, ndaj të cilit më vonë u ngritën dyshime, se ishte kapur me pasaportë diplomatike, në Aeroportin e Stambollit me substanca narkotike, si dhe kur vrapuan turravrap në një drekë politikë me Albin Kurtin dhe Mimoza Kusarin. Apo edhe në rastin kur njëri nga aksionarët e lokalit Bon Vivant, pasi grupe kriminele kishin qëruar hesapet në të njëjtin vend, pat propozuar fillimin e fushatës kundër dhunës, Bon Vive në shkollat e mesme të Prishtinës, si pjesë e një kampanje për të sanuar imazhin e lënduar biznesor.
Kam shkruar edhe në të kaluarën se ngritja e mistershme e këtij klani financiar dhe politik, krahas aktivitetit të tyre biznesor ka gjetur shtrat edhe te ai model i veprimit politik, deformimet e të tij cilit i ka përshkuar në mënyrë të jashtëzakonshme, shkrimtar i ynë i njohur Ismail Kadare në veprën “Dimri i vetmisë së madhe”. Gjeniu ynë i letrave shkruan se ky lloj i aktivistëve politikë e “kishin vetëquajtur veten njerëz të afërt të Partisë, më të afërt se të tjerët, më të besueshëm, njerëz të brendshëm të shtëpisë, kurse të tjerët ata i quanin të jashtëm, jo edhe aq të besuar. Ata ishin “ne” kurse të tjerët “ ata”,,,, Ata shfaqen aty ku s’i pret, në qendra pune në organizata rinie, partie, në situata të ndryshme, në mbledhje në mitingje, bile thjesht nëpër darka apo festa ditëlindjesh, ata mbinin papritur, vetëquheshin, vetëshpalleshin”.
Aplikimi i kësaj metode u tregua efektiv për ta edhe në këto zgjedhje. Të njëjtit duke e ditur se do të pësonin kolaps nga beteja me Albin Kurtin e ngritën flamurin e bardhë, duke ia dorëzuar këtë detyrë Bedri Hamzës. Ashtu siç kanë vepruar deri më tani. Ndonëse nuk e kanë fituar asnjë betejë politike, megjithatë vazhdimisht kanë përfituar personalisht. Madje për ta finalizuar këtë dinakëri, eksponentë të këtij grupi kanë filluar të lobojnë në degë të kësaj partie në qendra të ndryshme të Kosovës se martesa politike me Lëvizjen Vetëvendosje është e domosdoshme, sepse në këtë mënyrë krijohen mundësi institucionale për t’iu ndihmuar përfaqësueseve të UCK-së që po gjykohen në Hagë. Çfarë e detyroi edhe kandidatin për kryeministër të kësaj partie ta përjashtoi në mënyrë kategorike çdo kolacion më Lëvizjen Vetëvnedosje, madje edhe me postin e drejtuesit të Qeverisë. Qëndrim ky i kundërt me atë që ditë më parë e kishte mbrojtur nënkryetari Uran Ismali ne Rubikon, se pa hezitim do ta pranonte këtë opsion më postin e kryeministrit.
Sidoqoftë , nëse zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dështuan për ta prodhuar frymën e mirëfilltë të ripolitizimit të PDK-së, megjithatë shansa nuk është e humbur. Pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale, nuk ka më asnjë arsyeje që të mbahen peng proceset e brendshme demokratike. I takon Bedri Hamzës, se a do të lejojë t’ia përvetësojnë këtë ngritje elektorale të partisë, apo do ta fitojë edhe betejën e brendshme si parakusht për suksese të mëtutjeshme të jashtme. /TV Arbëria