16:03 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Art > Ndërmjet virtytit dhe vesit

Ndërmjet virtytit dhe vesit

Ekziston një rrëfim i njohur i Prodikut, që e përmend edhe Sokrati, gjatë dialogjeve të tij me sofistët, sipas të cilit Herakliu, një gjysëm perëndi, në prag të moshës së pjekurisë e sheh vetën në një udhëkryq. Kështu, dy gra i qasen pranë, duke i kërkuar, secila që t’i hynte njërës prej dy udhëve të përkundërta ndaj njëra-tjetrës.

Sipas Julia Annas, në librin e saj “Filozofia Antike” njëra ishte me pamje ngasëse dhe e hedhur, ajo iu qas e para dhe i kërkoi t’i hynte udhës së lehtë, asaj të plotësimit të dëshirave, për të jetuar një jetë sipas knaqësive dhe arrinte gjithçka do të kishte dëshirë me sa më pak përpjekje.

Ata që më duan të mirën më quajnë Lumturi, ndërsa dashakeqet dhe shpirtligët më thërasin ves (apo kënaqësi). Sakaq, gruaja tjetër, hijerëndë dhe e thjeshtë në pamje, ta tërheq përmes fjalëve, më tepër sesa me pamjen e saj dhe e nxit t’i shkojë nga pas asaj, virtytshmërisë, pavarësisht se udha e saj është e mundimshme, aspak e lehtë dhe shpeshherë kërkon vetëmohim. Tërë çka mund të ofrojë unë, shprehet ajo është e vyer dhe jetëgjatë, porse për t’ia arritur të duhet përpjekje dhe vetëmohim; vesi dhe knaqësia të ofrojnë një rrugë të lehtë drejt lumturisë, por se joshja e saj fillestare nis të zbehet, deri sa shuhet, duke të lënë gjithnjë duarbosh, pa asgjë të vyer, ndërkohë virtytshmëria rreh përsosmërinë dhe respektin, që janë burim i lumturisë së vërtetë.

Nje tension i tillë ndërmjet tundimeve të kënaqësisë dhe detyrimeve të virtytit e mishëruar nëpërmjet dilemës së Herakliut, ka gjetur shprehje artistike edhe në artet pamore, sikur se në këtë tablo të pikturuar nga Paolo de Matteis-i, 1712.

Natyrisht, siç pohon, Julia Annas, kësaj dileme morale sot mund t’i bëhen shumë vërejtje, se pse kundërthënia në mes vesit dhe lumturisë duhet të paraqitet ndërmjet dy grave. Por i tillë ishte horizonti antik. Ku pavarësisht përmbajtjës së tij, megjithatë dilemat morale dhe etike që u sajuan në ato botë, sikur se ato ndërmjet knaqësisë dhe lumturisë, vazhdojnë të jenë preokupim në forma tjera edhe sot për njerëzimin. Aq më tepër, kur tashmë jetojmë në një kohë të radikalizmit subjektivist relativist dhe nxitjeve konsumeriste.

/TV Arbëria

Powered by WordPress