Shkruan: Afrim Kasolli- Ngritja dhe rënia e tij pashmangshëm është edhe sot e kësaj dite temë e krijimeve artistike, kinematografike, letrare dhe historike. Një i panjohur nga Korsika që arriti të kurorëzohet si Perandor dhe në fund të detyrohet ta pranoi syrgjynosjen, pasi i humbi të gjitha ato që i kishte fituar brenda një jete. Ky mund të jetë një përshkrim lakonik për jetën e Napoleonit.
Kjo figurë që ngjalli admirimin e filozofit të njohur gjerman, G.W.F Hegelit, deri sa ishte duke e finalizuar kryeveprën e filozofisë botërorë “Fenomenologjinë e frymës” në qytetin e Jenës, sepse marshimin e të parit mbi kali, e pa si eksportuesin e qëllimeve finale të historisë. Ashtu sikurse në rrafshin teorik që veprën në fjalë e përkufizoi si kulmimin e njohjes absolute.
Pra odiesada e historisë dhe njohjes tashmë e kishin konsumuar vetveten, në rrafshin historiko-botëror me Bonapartin dhe në atë filozofik me Hegelin. Kurse për shkrimtarin e njohur Stefan Cvajg, arritjet e këtij heroi pa tradita, pa trashëgimi, dhe pa “gjak” aristokratik i çliruan ambiciet, pasionet dhe shtytjet e ndrydhura të rinisë evropiane nga prangat e kafazit feudal. Ai tashmë u tregoi atyre se gjithçka është e mundur.
Mirëpo, ky drejtues gjenial ushtarak, po ashtu nuk ishte imun nga trazimet, pikëllimet dhe zgavrimit shpirtërore. Ai me gjithë këto suksese të jashtme pushtohej nga ndjenjat e natyrshme të urrejtjes dhe vuajtjet e dashurisë. Pikërisht, ndikimi i pasioneve të kësaj të fundit në ngjitjen e tij drejt majave olimpike të pushtetit dhe imponimi i tij si kryeprotagonist i kohës në teatrin tragjik të historisë, e formon temën e filmit epik “Napoleon” me regji të Ridley Scott.
Në këtë krijim artistik ku rolin e Bonapartës e luan Joaquin Phoenix dhe atë gruas së tij Josephine (Vanessa Kirby) pasqyrohet dashuria e “çmendur” e të parit për të dytin.
Pas çlirimit të qytetit francez Tulon nga kontrolli britanik, ai avancohet nga kolonel në gjeneral. Dhe kështu e fillon marshimin e tij drejt pushtimit ta politikës franceze si shpëtimtar i Republikës. Është interesant se Napoleoni, gjatë gjithë kohës e ka në mendje vetëm nënën e tij. Se si do ta lumturonin atë këto arritje.
Mirëpo, e takon Marie-Josèphe-Rose de Beauharnais, e cila po përballej me ankthin e pasigurisë për të ardhmen. Kështu, ai do të jepet i tëri pas saj në atë kohë të trandjeve masive politike dhe shoqërore. Ishin vitet kur dominonte terrori revolucionar nga gijotina e Maximilien Robespierre-it.
Kështu, shpëtimi i Republikës dhe pushtimi i zemrës së Josephine e formuan qëllimin e veprimeve të Napoleonit. Dhe i arrin që të dyja. Pas këtij suksesi niset në ekspeditat e tij pushtuese në Itali dhe Egjipt. Një nga një i dërmon ushtritë kundërshtare duke e fituar aureolën pavdekshëm të pushtuesit.
Por deri sa ishte duke i shijuar frytet e këtyre fitoreve, në Egjiptin e largët i shkojnë të dhëna se ajo për të cilën ai ndodhej në këtë vend, ishte dhënë pas dikujt tjetër. Pra, siç thoshte në letrat dërguar asaj, të gjitha këto arritje i dukeshin të kota, sepse e mbanin larg asaj, kurse pikërisht shtratin e tij e kishin “pushtuar, gjarpërinj helmues të kësaj dashurie”.
Këto informacione e gjindosin e torturojnë dhe befas e në fshehtësi të abdikon nga këto suksese dhe kthehet natën në Francë. Kur zbarkon në vendin e tij, shoqëria franceze pret si hero, e përshëndet me ngazëllim dhe në mënyrë triumfaliste, por vetëm ajo për të cilin ai ia dedikonte këto fitore, kishte ikur në qytetin e Lyoni-it me të dashurin e saj. Por ai nuk mund ta paramendonte jetën pa të. Dhe ia fal tradhtinë.
Pa kaluar shumë kohë, kjo dashuri e lënduar do ta kurorëzohet në martesën. Në fund emërohet edhe Perandor. Por tash kur i duhet që ta ketë trashëgimtarin do të pason divorci, sepse ajo nuk mund t’ia ofronte pasuesin e fronit. Ndarje që do të thotë se u detyrua ta bënte përkundër vullnetit të tij për shkak të fatit.
E në sfond të kësaj dashurie të tradhtuar dhe më pastaj të penguar Napoloni i sulmoi Austrinë, për shkak të aleancës së saj me Rusinë. Bëri paqe me këtë fundit kundër ndikimit britanik, kurse kur Moska i hapi portet e saj për anijet tregtare britanike hyri në luftë me të.
Marshoi me 600, 000 ushtarë drejt Moskës. Por do ta gjente qytetin djegur nga vetë rusët. Dimri i madh rus i dërmoi forcat e tij, dhe kështu të gjithë aleatet u kthyen kundër tij. Këta të fundit fituan, hyn në Paris dhe e detyruan të hiqte dorë nga froni dhe të syrgjynosej në ishullin e Elbës. U arratis nga izolimi dhe u rikthye edhe një herë në skenë. Mblodhi forca. Por e humbi përfundimisht në Betejën e Waterloo-së ndaj ushtrive të bashkuara angleze, prusiane, ruse dhe austriake.
Dhe kështu këto shtete e definuan rendin ndërkombëtar post-napoleonik në Kongresin e Vjenës në vitin 1815, dhe e dëbuan atë në ishullin e Shën Helenës, që siç thotë shkrimtari i njohur Leo Tolstoi, i “ndarë nga të afërmit e tij të shtrenjte, larg nga Franca e tij e dashur, vdiq në një vdekje të ngadalshme, në një shkëmb, duke ua lënë të bëmat e tij të mëdha brezave të ardhshëm”.
/TV Arbëria