Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > ​“Sporti në Shkolla”, projekti madhor që nis të aplikohet nga fillimi i vitit 2024

​“Sporti në Shkolla”, projekti madhor që nis të aplikohet nga fillimi i vitit 2024

Nga fillimi i vitit të ardhshëm në Kosovë do të fillojë pilotimi i projektit “Sporti në Shkolla”, përmes të cilit synohet përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në aktivitete shkollore.

Ky projekt është nisur në bashkëpunim të Ministrisë së Sportit dhe Federatës së Sporteve Shkollore.

Sipas kryetarit të Federatës së Sporteve Shkollore, Ardian Telaku, ky do të jetë një projekt madhor që deri më tani nuk është parë dhe do të vije në bashkëpunim me disa federata sportive vendore.

Telaku: Projekti “Sporti në shkolla” është më i madhi ndonjëherë për sportin në shkolla

“Ne si Federatë e Sportit Shkollor duke pasur parasysh kapacitetet dhe mundësitë për të realizuar një projekt të tillë i cili është një ndër projektet më të mëdha që ka mundur të ekzistojë ndonjëherë në sportin shkollor, në të kaluarën nuk është se nuk ka pasur iniciativa të tilla, por ka pasur mungesë të mbështetjes. Kur themi mungesë mbështetjeje, ka qenë mbështetje financiare dhe politike sigurisht. Më pastaj ka filluar të marrë formë projekti dhe kanë filluar të rriten grupet punuese, fillimisht kemi filluar me tetë federata, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në takimet e para, gjatë rrugës kemi ardhur në përfundim që pilotimi të bëhet me tri federata”, theksoi Telaku.

Në një intervistë Telaku ka thënë se ky projekt do të jetë i veçantë nëpër shkolla dhe nuk do ta prek programin aktual bazë të mësimit.

Telaku: Ky projekt nuk e cenon programin bazë të shkollave

“E kemi një problematikë, është infrastruktura që kërkon të hulumtohet dhe evidentohet cilat janë problematikat rreth infrastrukturës dhe më pastaj cilat janë mundësitë e orarit të mësimit sepse ky aktivitet është aktivitet ekstra-kurikular dhe në asnjë mënyrë nuk guxon ta pengojë procesin mësimor. Do të thotë arsimtarët praktikisht janë kube sportive brenda shkollës dhe këto klube sportive, arsimtarët e edukatës fizike që janë me kontratë bazë në shkolla përkatëse do ta bëjnë aktivitetin fizik, por ka raste kur shkollat e kanë vetëm nga një arsimtar…atëherë shoqata lokale, në këtë rast shoqata komunale e ka për detyrë ta përzgjedhë një arsimtar të edukatës fizike në formën e asitimit për të asistuar, praktikisht kërkohen dy arsimtar për një program brenda një shkollë.”, bëri të ditur Telaku.

Nëse programi rezulton të jetë pozitiv, Telaku ka bërë të ditur se duhet të angazhohet një numër prej 400 arsimtarësh të rinjë të edukatës fizike nëpër shkolla.

Telaku: Do të angazhojmë edhe staf shtesë të mësuesve nëpër shkolla

“Faza e pilotimit fillon më 24 janar dhe përfundon në fund të qershorit. Të gjithë këta arsimtarë do t’i kenë kontratat profesionale, obligimet të cilat detyrohen për t’i përfunduar në atë pjesë. Pas fazës së përfundimit të pilotimit, fillon faza e vlerësimit të projektit dhe tani nga shtatori pritet të votohet përmes qeverisë dhe kuvendit, për t’u bërë si program, në të njëjtën formë siç e ka edhe xhudo…Nëse pilotohet dhe vlerësohet që është pozitiv, është llogaritur që 300 deri në 400 arsimtarë të edukatës fizike të krijojnë marrëdhënie të reja të punës, kjo është në bazë të kalkulimeve të cilat i kemi bërë.”, ka thënë Telaku.

Telaku bëri të ditur gjithashtu se gjithë ky projekt nuk do të jetë ngarkesë shtesë as për nxënësit e as për familjarët e tyre, pasi të gjitha pagesat do të mbulohen nga Ministria e Kulturës dhe Sportit.

Telaku: Nxënësit nuk do të paguajnë për aktivitete sportive

“Ajo çfarë neve na bënë më të fortë në këtë drejtim dhe që mendojmë se është pikë e fortë e jona në këtë rast, është arsyeja se këtu asnjë fëmijë nuk ka për të participuar. Asnjë familjarë, asnjë prindë nuk do të paguajë për fëmiun e vetë që bënë aktivitet sportiv brenda shkollës. Nuk ka pagesa, pagesat janë të siguruara nga Ministria e Kulturës, në këtë rast, në fazën e pilotimit…Këtu do ta kenë mundësinë të gjithë të kyçen. Përparësia është që ne mendojmë ta kyçim fëmiun sa më herët që është e mundur. Pilotimi bëhet nga klasa e parë në këtë fazë, klasa e parë deri në klasën e pestë ,që është shahu dhe xhudo, klasa gjashtë deri në të nëntën është basketbolli 3×3.”, shtoi më tutje Telaku.

Për aplikimin sa më të mirë të projektit, Telaku ka thënë se nevojiten edhe shumë ndërhyrje në infrastrukturat sportive të shkollave nëpër Kosovë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress