Gjilani ka fituar me rezultat të thellë 4-0 në udhëtim te Liria në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Gentjan Mezanit i është kthyer fitores pas dy humbje, duke triumfuar thellë në Prizren dhe duke u larguar nga zona e rrezikshme.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim absolut të mysafirëve, të cilët shënuan tri gola, por jo edhe falë largimit të mbrojtësit të Lirisë, Melos Zenunaj (25’) pas dy të verdhëve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 23-të me anë të Edi Basa, i cili ishte i saktë nga penalltia për 0-1, ndërsa Elvedin Heric shënoi fillimisht nga gjuajtja e lirë në minutën e 26-të për 0-2 dhe në minutën e 29-të nga jashtë zonës për 0-3.
Në pjesën e dytë, gjilanasit vazhduan me lojë më të mirë, menaxhuan lojën dhe shënuan edhe një gol për të vulosur fitoren.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 85-të me anë të Elton Cale, i cili nga afërsia vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 0-4.
Pas kësaj fitore, Gjilani renditet në pozitën e shtatë me 17 pikë, ndërsa Liria e fundit më vetëm 9 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Gjilani e pret Dritën në derbin lokal, ndërsa Liria udhëton te Malisheva.
/TV Arbëria