Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë menjëherë agresionin kundër Ukrainës, raporton agjencia gjermane e transmeton Meta.mk.
“Ndaloni vuajtjet e papërshkrueshme që u keni sjellë miliona njerëzve,” këmbënguli Baerbock sot në Këshillin Ministror të OSBE-së të mbajtur në Shkup.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov nuk ishte në sallë kur foli Berbok. Ministrja gjermane e theksoi veçanërisht këtë akt.
“Lavrov me sa duket vjen sallë, si në seancat e tjera, vetëm për të folur, por jo për të dëgjuar të tjerët. Për të ndaluar luftën, nuk nevojiten negociata, nuk nevojiten mbetje të Ukrainës për këtë”, tha Annalena Baerbock.
“Rusisë i mbetet vetëm të vendosë”, shtoi ajo, “për t’iu përmbajtur parimeve bazë të kësaj organizate, OSBE-së, për të tërhequr forcat ushtarake dhe për të sjellë paqe”.
Baerbock kritikoi Rusinë për mbajtjen në burg të tre anëtarëve të misionit monitorues të OSBE-së në Ukrainë, një shkelje brutale e rregullave tona të përbashkëta të OSBE-së.
Për të funksionuar OSBE-ja, është e nevojshme urgjentisht vazhdimi i mandatit të Sekretares së Përgjithshme Helga Schmid dhe përfaqësuesve të kësaj organizate për demokraci, liri mediatike dhe minoritete, tha ministrja gjermane.
Ndryshe, Helga Schmid dhe tre kolegët e saj do të duhet të largohen nga pozitat e tyre në fillim të dhjetorit.
“Nëse nevojitet një kompromis, ne jemi gati. Por një kompromis për hir të një kompromisi nuk është më një kompromis, por një bllokadë e plotë”, theksoi Baerbock.
Ajo e mbylli fjalimin e saj në anglisht me fjalët “të shpëtosh OSBE-në do të thotë të mbrosh popullin tonë, është përgjegjësia jonë”.
OSBE ka 57 vende anëtare dhe aktualisht është në një krizë të rëndë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe për shkak se Moska po bllokon punën e kësaj organizate.
Në OSBE të gjitha vendimet merren me pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare. Me politikën e vetos, Rusia pengoi Estoninë të kryesonte Organizatën vitin e ardhshëm. Vetëm këtë të hënë, pas negociatave, u vendos që kryesia e Organizatës t’i jepet Maltës dhe ai vendim të zyrtarizohet në Shkup.
/TV Arbëria