E vendosur në Kosovë nga viti 1999, NATO-ja është duke shqyrtuar tani shtimin e përhershëm të trupave të saj. Sipas disa analistëve, ky zhvillim do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit, por se nuk do të jetë i mjaftueshëm.
Lidhur me mundësinë e rritjes së prezencës së KFOR-it, ka folur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Kemi parë dhunë serioze në Kosovën veriore, ndarje e gjuhë përçarëse në Bosnjë-Hercegovinë, dhe përpjekje për ndërhyrje nga jashtë nga ana e Rusisë. Bashkë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për siguri do të diskutojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Kjo është me rëndësi për NATO-n”, ka thënë Stoltenbergu.
Ai ka shtuar se pavarësisht zhvillimeve në rajonet e tjera të botës, NATO-ja nuk e ka humbur fokusin nga Ballkani Perëndimor.
“Kemi histori atje, kemi prezencë dhe së fundi kemi rritur prezencën duke shtuar mijëra trupa të reja. Tani po vlerësojmë nëse duhet të ketë një rritje më të qëndrueshme dhe nëse ka nevojë për ndonjë aftësi të re të veçantë. Por tashmë i kemi ndërmarrë hapat e domosdoshëm duke rritur prezencën tonë”, ka theksuar Stoltenberg.
/TV Arbëria