Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Smajl Latifi: Detyrimi për të “shpëtuar” të vdekurit njëra nga detyrat më të rënda në luftë

Smajl Latifi: Detyrimi për të “shpëtuar” të vdekurit njëra nga detyrat më të rënda në luftë

Në një luftë krahas detyrimit për t’i mbrojtur të gjallët, shpeshherë si detyrim madhor imponohet edhe nevoja e “shpëtimit” të të vdekurve, pra bashkëkombësve të vrarë nga forcat e armikut. E tëra kjo që të ruhet identiteti dhe që nesër të dihet varri i tyre.

Me këtë obligim ishte përballur jo pak herë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në rrëfimin e tij “28 Nëntori me 28 çlirimtarë”, Smajl Latifi tregon ngjarjen rrënqethëse se si forcat serbe kishin masakruar banorët civilë në fshatin Fortesë.

Ai dëshmon se fillimisht informacionet e para që i kishin marrë ishte se mëngjesin e hershëm të 25 marsit ishin vrarë 25 persona. Kështu, me t’u terruar një njësit i veçantë i UÇK-së niset për të shkuar në fshat, me qëllim që të paktën të krijohen kushte për varrosjen e civilëve. Në hyrje të fshatit ata u ndeshen me të ekzekutuarit e parë, anëtarët e familjes Zhuniqi. Mirëpo, në të vërtetë vetëm atë natë ishin ekzekutuar 68 persona në këtë fshat. Kështu, e gjithë ajo natë u kishte shkuar vetëm duke i mbledhur kufomat.

Atëherë natën e dytë një grup më i madh i ushtarëve kishin zbritur në fshat dhe të pajisur edhe me mjete shtesë lopata dhe armatim më të sofistikuar. Duke qenë se në ato kushte ishte e pamundur të hapej nga një varr për secilin, u përcaktuan që të hapen dy varre masive dhe çdo njërit prej viktimave t’ua vendosin mbishkrimin me emrin dhe mbiemrin e tyre, në një shishe të plastikës në mënyrë që të ruhet identiteti i tyre.

Mirëpo, as natën e dytë nuk ishte e mundur të realizohej kjo detyrë. Sepse trupat e kufomave qenë ekspozuar në rreze të diellit, atëherë kishte filluar karbonizimin e tyre dhe kutërbonte një erë e rëndë.

Por, Smajl Latifi tregon se nuk guxonin të dështonin në këtë mision. Dhe pas luftës kur u ishin zhvarrosur ata trupa, secili prej tyre e kishte pasur emrin të ruajtur, ashtu siç ishte vendosur mbishkrimi në shishe. Madje,  edhe në nderim të kësaj vepre sot është ndërtuar monumenti përkujtimor “Emrat në shishe”.

/TV Arbëria