Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Bislim Zogaj: Liria e Kosovës qe shumë e shtrenjtë

Bislim Zogaj: Liria e Kosovës qe shumë e shtrenjtë

Se liria e Kosovës nuk erdhi befas dhe papritmas, as nuk është  një dhuratë e mirëqenë, por fryt i shumë sakrificave dhe besimit të atyre që u angazhuan më gjithë qenien për sigurimin e saj, e dëshmon edhe ky rrëfim rrënqethës i Bislim Zogajt, njërit prej atyre që ia dedikoi jetën këtij ideali të kahershëm të shqiptarëve.

Ai ishte arrestuar nga ish-regjimi serb në Kosovë në fillet e para të organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së  bashku me grupin e  Nait Hasanit. Ndërkohë, atëbotë nuk kishte shpërthyer ende lufta frontale për çlirimin e Kosovës dhe thuajse pak kush dinte për themelimin dhe veprimtarinë e këtij formacioni të armatosur.

Ishte ky brez që kishin filluar ta humbnin besimin se liria dhe shteti i Kosovës do të mund të vinte duke pritur. Prandaj, në vend të iluzionit për lirinë ata vendosën të angazhohen për ta bërë atë realitet, por me arrestimin e tij do të fillonte edhe kalavari “biblik” i vuajtjeve për Bsilim Zogajn dhe të  tjerët që e kishin pasur fatin e tij.

Tregimi i tij për ato se çka kishin përjetuar në  “Burgun e Dubvravës” të burgosurit politikë shqiptarë e shpërfaq në mënyrë tronditëse karakterin makabër të ish-regjimit serb në Kosovë . Çdo gjë ishte e inskenuar në  mënyrë  që faji për këtë  masakër t’i vihej Aleancës Veri atlantike për bombardimet që kishte filluar kundër caqeve ushtarake, paramilitare dhe policore serbe.

Që  të  akuzohej NATO si shkaktare e këtij krimi të pashembullt për ndërgjegjen  njerëzore. Më se 120 të burgosur do të  vriteshin nga gardianët serb në këtë  “kamp të vdekjes”. Rrëfimi mbi skenat e atyre që  ndodheshin në “agonin e vdekjes, e pasqyron të vërtetën tragjike të lirisë  që ne sot e gëzojmë.

Mirëpo, mbetet epik fakti se edhe pse në  këto kushte të  tmerrshme të burgosurit politikë shqiptar në burgjet serbe asnjë  herë nuk e humbën vullnetin dhe bindjen se liria do të agojë edhe për këtë popull. Edhe pse të privuar nga informacionet mbi botën e jashtme ata i mbante gjallë shpresa se ëndrra një shekullore e shqiptarëve të Kosovës do të  bëhej realitet. Dhe  kështu do të merrte fund golgota e shqiptarëve të këtij vendi.

Këtë epilog, asgjë  nuk e shëmbëllen  më mirë,  sesa mënyra si e përshkuan Bisilm Zogaj, si e kishte lënë Kosovën para se të arrestohej, në një gjendje të mjerë, depresive dhe rrënuese në aspektin psikologjik, moral dhe politik e të administruar nga forcat e errëta kriminale serbe dhe pas daljes nga burgu kur e gjeti atë të lirë. Rrëfime të tilla janë të domosdoshme për mbamendjen kombëtare edhe për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, edhe TV Arbëria me rastin e 28 Nëntorit kësaj date të shenjtë të Shqiptarisë i ka kushtuar një hapësirë të veçantë historisë së 28 çlirimtarëve.

/TV Arbëria