Edhe pse procesi kishte nisur një dekadë e gjysmë më parë, banorëve të Kosovës ende nuk u ofrohet sigurim shëndetësor publik. Pritja mund të zgjasë edhe më, pasi që për realizimin e këtij projekti fillimisht duhet të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor.
Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, thotë se në skenarin më të mirë të mundshëm, ky proces mund të përfundojë pas pesë vjetësh.
Ai cilëson se mungesa e sigurimeve shëndetësore është shkelje e të drejtave të pacientëve, shkruan Evropa e Lirë.
“Në opsionin më optimist të mundshëm, duhen pesë vjet për t’i bërë sigurimet shëndetësore. Para se të nisin sigurimet shëndetësore duhet të jetë lista e shërbimeve që i ofron një institucion shëndetësor. Është çmimorja [që tregon] sa kushtojnë ato shërbime e shumë çështje të tjera, të cilat nuk janë bërë”, thotë Kodra.
Hulumtimet e bëra nga kjo shoqatë tregojnë se rreth 84 për qind e pacientëve në Kosovë kanë vështirësi t’i marrin shërbimet shëndetësore për shkak të gjendjes financiare. Mungesa e sigurimit shëndetësor, thotë Kodra, godet më së shumti rastet sociale.
Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë neglizhuar proceset që do të finalizonin sigurimet shëndetësore dhe jetësimi i tyre do të marrë vite kohë.
Edhe në Raportin e sivjetëm të Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian thuhet se një e treta e popullsisë së Kosovës ka qasje të kufizuar në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
“Pabarazitë në shëndetësi mbeten një problem serioz. Futja e skemës së sigurimeve shëndetësore universale është shtyrë vazhdimisht dhe pagesat nga xhepi [i qytetarëve] mbeten shumë të larta”, thuhet në këtë raport.
Mungesa e sigurimeve, sipas Raportit të Progresit ndikon në qasje më të ulët në shërbimet thelbësore shëndetësore për ata që janë në situata të cenueshme, siç janë ata që jetojnë në varfëri, në zonat rurale dhe personat që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë.
Në Kosovë funksionon një numër i kompanive private, të cilat ofrojnë sigurime shëndetësore për qytetarët. Nuk ka të dhëna se sa mund të jetë numri i qytetarëve të cilët kanë sigurim privat shëndetësor.
Për herë të parë, Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007. Por, atëkohë, ai nuk hyri në fuqi pasi që shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Joachim Rucker, nuk e nënshkroi atë.
Pasi Kosova shpalli pavarësinë më 2008, qeveritë ndër vite e anashkaluan këtë ligj për shkak të, siç thuhej, implikimeve buxhetore.
Vetëm në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës arriti ta miratojë Ligjin e ri për sigurime shëndetësore, mirëpo as ky ligj nuk gjeti zbatim.
Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017.
Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.
Pa Sistem Informativ Shëndetësor nuk mund të ketë sigurime shëndetësore.
Para se të funksionalizohen sigurimet shëndetësore publike kërkohet funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor.
Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH) bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.