Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, nuk ka qenë kurrë më aktiv dhe prezent në media se këto ditë. Që nga rizgjedhja e tij si kryetar i kësaj partie dhe prezantimit të programit të tij “rruga e re”, përpos që e ka kumtuar dashurinë e tij për këtë program, ai i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe procesit të dialogut.
Pra gabimeve të Albin Kurtit në këtë proces. Këtë e bëri edhe mbrëmë në emisionin Presing. Në bisedë e sipër, i pari i LDK-së, deklaroi se tashmë nuk mund të flasim për Asociacion, por për autonomi me rrezik drejt federalizmit të Kosovës. Madje, sipas tij as nuk na duhet njohja nga Serbia, kur zbatohet ndarja e brendshme e Kosovës.
Për më shumë, ai pohoi se qoftë më Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe atë të zbatimit të arritur në Ohër, nuk bëhet fjalë për njohja nga Serbia, por për njohje eventuale të pasaportave nga Beogradi, që nuk paraqet asnjë përfitim në raport me lëshimet, dëmet dhe humbjet që i ka pësuar vendi ynë nga mënyra e drejtimit të dialogut nga Albin Kurti.
Mirëpo, ajo që është më katastrofë, ka të bëj me faktin se këto Marrëveshje janë shndërruar në obligime për Kosovën, duke transmetuar një mesazh të fshehur me këtë rast se ato nuk mund të zhbëhen. Kështu, edhe Marrëveshje Ohrit do të jetë detyrim për Kosovën për këdo që vjen në pushtet. Ky është fakt. Nuk mund të kontestohet, dhe është shndërruar në kriter për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pohoi ndër të tjera kryetari i LDK-së. Ndërkohë dëmet e kësaj marrëveshje, sikur se kapërcimi i së kaluarës, dhe jo ballafaqimi, vetmenxhaimi dhe autonomia e Kishës janë vetëm disa nga më të njohurat. Dhe është pikërisht ky vetmenaxhim si bazë e draft-statutit, i cili bazohet në rezolutën 1244. E, duke afirmuar këtë dokument, Albin Kurti na ka kthyer para shpalljes së pavarësisë me një fjalë e ka zhbërë edhe shtetësinë.
Sidoqoftë, në këtë intervistë ai e bëri të qartë një gjë, që tashmë nuk ka shpëtim nga ky rrezik. Jemi të detyruar të shkojmë të gjithë drejt kësaj humnere ku na futur pushteti aktual.
Mirëpo pikërisht ky arsyetim dhe justifikim a nuk dëshmoi se krejt shfaqja politike e tij, nuk është asgjë tjetër, pos një imitim i fshehur i strategjisë së deritanishme Albin Kurti. Ku artikulohen kritika prej pozicionit të opozitarit për procesin e dialogut, mirëpo me të ulur në ulëset e pushtetit, ato zbatohen por duke u shfajësuar se pararendësit, na i lanë duart e lidhura me gabimet tyre dhe kështu nuk kemi tjetër opsion. Pra një lloj përqafimi i një modeli të sofistikuar të viktimizimit si mjet për mbijetesë politike.
Ndërkaq, asgjë nuk e demanton më shumë këtë pozicion dual sesa kur në një rast ai e mori si shembull një alternativë tjetër për procesin negociatave më Serbinë, atë të përfaqësuar nga ish-kryeministri Abdullah Hoti, sipas së cilës nuk ka “pajtim për asgjë deri sa nuk ka pajtim për gjithçka”. Madje ai nguroi t’ia përmend edhe emrin inauguruesit të këtij parimi dialogues me Serbinë. E ndër arsyet se pse kjo metodë nuk arrti të ketë sukses, mbase ka të bëjë edhe me faktin se kur ishte koha për ta mbështetur atë, ishte dhe vet Lumir Abdixhiku që nuk kishte pranuar të identifikohej me të. Dhe kështu me (mos) veprimin e tij, mbase ka ndikuar që në opinion të fitonte terren vetëm modeli aktual i Albin Kurtit, pasojat e të cilit po i vajton, por që nuk mundësi për ta penguar korrigjimin e tij. Prandaj, kjo qasje nuk është asgjë tjetër, vetëm legjitimim i qasjes së Albin Kuritit për dialogun. Dhe portretizim i tij si i pa alternativë.
/TV Arbëria