Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Ballafaqimi me të keqen me anë të “jetës kontemplative”

Ballafaqimi me të keqen me anë të “jetës kontemplative”

Shkruan: Afrim Kasolli – Hannah Arendt si korrespondente e gazetës New Yorker, ishte dërguar të raportonte për procesin  gjyqësor që shteti i Izraelit kishte filluar kundër Adolf Eichmann-it.

Ky i fundit akuzohej nga gjykata për rolin që kishte pasur në grumbullimin dhe zhvendosjen e anëtareve të komunitet hebraik drejt kampeve të vdekjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën e regjimit nazist. Gjatë raportimit për këtë proces gjyqësor ajo do ta shpik edhe nocionin “banaliteti i së keqes”.

Sipas H. Arendt-it gjykata që e gjykoi Adolf Eichmann ndodhej para një detyre të vështirë, sepse ajo gjendej përballë një krimi i cili nuk gjendej në legjislacionin e deriatëhershëm dhe një lloj krimineli të panjohur para gjyqeve të Nurembergut. Por, gjykata duhet ta gjykonte A.Eichmann si një njeri të akuzuar për veprimtarinë e tij. Ngase nuk ishte në pyetje as historia, as ideologjia, as antisemitizmi, por ishte vetëm një njeri.

Problemi me një kriminel nazist si Adolf Eichmann-i, sipas kësaj teoriciene qëndron në faktin se ai këmbëngulte te refuzimi i çdo cilësie personale, a thua se nuk ekziston askush që duhet ndëshkuar apo edhe falur. Ai protestonte vazhdimisht përkundër deklaratave të prokurorit, se nuk kishte bërë asnjëherë diçka me iniciativën e tij, se nuk kishte pasur asnjë qëllim të mirë apo të keq, por vetëm se u ishte bindur urdhrave.

Dhe ishte ky pretendim tipik nazist që e bënte të qartë që e keqja më e madhe në botë, është e keqja e kryer nga këta “askush”, e keqja nga njerëz pa motive, pa bindje, pa zemër të keqe, apo dëshira të liga. Nga qenie njerëzore që refuzojnë të jenë njerëz. Është ky fenomen pra që H. Arendt definon si “banaliteti i së keqes”.

Ky model i depersonlizimit kishte ndikuar për një puqje makabre në mes mediokritetit tronditës të një njeriu dhe veprave të tij të pabesueshme. Kurse duke refuzuar veten e tij, njerëz si Adolf Eichmann, i suspendojnë cilësitë thelbësore që na dallojnë si qenie njerëzore, “aftësinë për të menduar”. E siç dihet që nga koha e Sokratit dhe Paltonit ne e quajmë mendimin “përfshirjen në një dialog të heshtur mese meje dhe vetes.” Prandaj refuzimi i mendimit është edhe atrofizim i aftësisë për të bërë gjykime morale.

Dhe është kjo “paaftësi për të menduar” që u dha mundësinë shumë njerëzve të thjeshtë që të kryenin vepra të liga në shkallë të gjerë, vepra të papërjetuara më parë. Ngase manifestimi i erës së mendimit nuk është dija por aftësia për të dalluar të drejtën nga e gabuara, të bukurën nga e shëmtuara. Dhe në këtë aspekt del në sipërfaqe më shumë se çdo herë tjetër vlera e mendimit, sepse ai u jep njerëzve forcën për të parandaluar katastrofa në momente të veçanta, dhe në çaste rreziku (when the chips are down).

Mirëpo, kur e krahasojmë këtë konstatim të saj me përfundimin e librit Origjinat e Totalitarizmit, mbase bëhet më e qartë se pse jeta kontemplative mbetet jetike për t’u ballafaquar me situata të tilla. Sepse në këtë libër ajo konstaton se ky regjim, ka gjasa që “të qëndrojë me ne tani e tutje, tamam si format e tjera të qeverisjes që u shfaqën në çaste të ndryshme historike dhe u bazuan në eksperienca të ndryshme fondamentale dhe që kanë qëndruar me njerëzimin, pa marrë parasysh dështimet e përkohshme – monarkitë, republikat, tiranitë, diktaturat dhe despotizmat”.

E për këtë rrezik sot na paralajmëron edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Në një interviste dhënë mediave italiane ai ka tërhequr vëmendjen se si sot “informacioni ka rrezik të shndërrohet në një lloj totalitarizmi” Prandaj romani “Pallati i ëndrrave” që e përshkruan botën e nëndheshme të këtij regjimi, merr një peshë të jashtëzakonshme edhe në ditët e sotme.

/TV Arbëria

 

 

Powered by WordPress