17:51 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Përparim Rama harron që është apartiak, u pa në kuvendin e djeshëm zgjedhor të LDK-së

Përparim Rama harron që është apartiak, u pa në kuvendin e djeshëm zgjedhor të LDK-së

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pasur deklarata të paqarta lidhur me atë nëse është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Përkundër që e ka mohuar se është pjesë e partisë, Rama kishte fituar zgjedhjet me vota të LDK-së. Ai të dielën është parë tek hapësirat e Pallatit të Rinisë, pas përfundimit të kuvendit zgjedhor, që e bëri Lumir Abdixhikun kryetar partie edhe për një mandat.

Rama e ka quajtur veten “partner të ngushtë të LDK’së”, por e ka mohuar vazhdimisht se është pjesë e saj. Ai pati thënë se me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, janë marrë vesh që ai ta udhëheqë partinë e ky kryeqytetin.

Unë e shoh mundësinë perfekte për bashkimin e të gjitha forcave që e ndihmojnë zhvillimin e kryeqytetit, kam garuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe normal që jam partner i ngushtë i LDK-së, por nuk jam anëtar i kësaj partie”, pati deklaruar Rama në gusht të këtij viti.

Disa muaj më pas, ai kishte thënë se s’e ka të kushtëzuar anëtarësimin në LDK, as në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Që nga fillimi kemi pasur një marrëveshje të qartë që Lumiri do të merret me politikën, partinë, derisa unë do të merrem me kryeqytetin. Këtë jemi duke e bërë. Kemi raporte fantastike. LDK-së i dëshiroj sukses në zgjedhjet e brendshme. Unë nuk jam anëtar i LDK-së. LDK-ja më ka ftuar për të garuar dhe unë këtë e kam parë si një mundësi fantastike”, deklaroi i pari i Prishtinës.

Nuk besoj se do të kem ndonjë kushtëzim pasi kam qenë i sinqertë qysh nga dita e parë. Unë jam i interesuar të rregulloj Prishtinën. Nuk jam i interesuar për të garuar për kryeministër apo diçka tjetër”.

Përkundër insistimit të Ramës se është apartiak, ai është parë duke iu gëzuar fitores së Abdixhikut pranë “Pallatit të Rinisë”, pas përfundimit të kuvendit zgjedhor.

Rama shihet duke bërë foto me simpatizantë të LDK-së.

Megjithatë, Rama entuziazmin për LDK-në e ka të fshehur në rrjetet sociale. Ai në një postim që ia ka uruar përzemërsisht pozitën Abdixhikut, ka shpërndarë një fotografi brenda kuvendit zgjedhor, e jo ndonjë personale.

/TV Arbëria