Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Tomë Gashi: Prokuroria për arsye të panjohura është duke vepruar në mënyrë selektive

Tomë Gashi: Prokuroria për arsye të panjohura është duke vepruar në mënyrë selektive

Sot u mor në pyetje për rastin e Astrit Deharit, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Derisa ajo ishte në proces të dëshmisë së saj, avokati i familjes së ish-aktivistit Astrit Dehari, Tomë Gashi foli për mediat me shqetësim për mospraninë e tij gjatë intervistimit të ministres, Albulena Haxhiu.

Ai tha që vonesat mbi këtë rast janë të pakuptimta dhe mospranimi i kërkesës sime për të qenë prezent është i paarsyeshëm.

“Prokuroria është duke u vonuar, në kuptimin që edhe pse kam paraqitur disa kërkesa, prokuroria nuk është përgjigjur fare, vetëm janë njoftuar hetuesit policorë që sipas prokurorisë nuk është e lejuar pjesëmarrja ime në marrjen në pyetje të ministres së drejtësisë, zonjës Albulena Haxhiu.

Mendoj që prokuroria për arsye të panjohura është duke vepruar në mënyrë selektive, sepse me dhjetra dëshmitarë që janë marrë në pyetje në këtë ndërtesë të Policisë sonë, është kërkuar që unë të jem pjesëmarrës me rastin e deklarimeve të tyre. Prokurori gjithashtu nuk ka lejuar pjesëmarrjen time gjatë deklarimit të Haki Abazit, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prandaj, ne nuk e dimë se çfarë taktike juridike është duke zgjedhur prokurori që fatkeqësisht po e lë në errësirë të njoftimeve familjen e Astritit”.

Ai gjithashtu u shpreh se rasti i Astritit është ndër rastet më të dhimbshme.

“Unë mendoj që rasti i Astrit Deharit është rasti më i dhimbshëm në Kosovën e pasluftës dhe është e pakuptueshme sjellja e prokurorit mbi këtë rast”.

Ndërkaq, Haxhiu nuk u deklarua pas intervistimit, vetëm tha se detajet do t’i japë në konferencën e thirrur në ora 14:00.

/TV Arbëria