Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Bajrami rendit “premtimet e parealizuara” të Kurtit: Të vjen keq kur i sheh tek përpëliten për ta arsyetuar mungesën e rezultateve

Bajrami rendit “premtimet e parealizuara” të Kurtit: Të vjen keq kur i sheh tek përpëliten për ta arsyetuar mungesën e rezultateve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë një përmbledhje të premtimeve të kryeministrit Albin Kurti, të cilat siç ka thënë, nuk janë realizuar asnjëherë.

Bajrami është shprehur se kjo Qeveri po e përfundon mandatin me rreth 11.4 miliardë euro buxhet të menaxhuar.

“2 miliardë e 298 mijë euro më 2021; 2 miliardë e 539 milionë euro më 2022; 3 miliardë e 238 milionë euro më 2023 dhe 3 miliardë e 314 milionë euro më 2024”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje, deputetja opozitare ka thënë se “asnjë shenjë pozitive në këtë vend nuk do të lë me gjithë këto buxhete të menaxhuara”.

“Pyetja është: Cila do të jetë trashëgimia e Qeverisë Kurti që do t’ia lë këtij vendi? Vetëvendosje ka ardhur në pushtet për 15 vjet me protesta, me sulme ndaj policëve, me gaz lotsjellës në Kuvend, molotov, dëmtim të pronës publike, sulm ndaj shtëpive private të udhëheqësve të shtetit, rrokullisje të kamionëve e deri te humbja e jetëve në protesta kundër Asociacionit e Pakos së Ahtisaarit”.

Bajrami ka renditur gjithsej 17 premtime të bëra nga partia në pushtet, e të cilat sipas saj kanë mbetur vetëm në letër.

“Për të ardhur në pushtet, Kurti, Nagavci, Sveçla, Salih Zyba dhe e gjithë Vetëvendosjes patën premtuar 160 çerdhe; 4 mijë banesa për të rinjtë; Bankë Zhvillimore; Fond Sovran; Kthim i trurit në vend; Zero TVSH për miell, vaj, qumësht, sheqer, kripë etj; Lirim të çmimit të energjisë, Zero euro për energjinë e serbëve në veri të vendit; Rritje të pagës minimale; Zero tatim për pagë minimale; Ndalja e gjakderdhjes financiare te Ndërmarrjet Publike; Meritokraci; Punë dhe drejtësi; Luftë kundër korrupsionit; Autostrada, rrugë magjistrale, tunele, ura; Stadium kombëtar e infrastrukturë sportive gjithandej vendit; Jo Zajednicë”.

Ajo ka deklaruar se sot askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të flasë për ndonjë premtim të realizuar.

Sipas saj, pas tri viteve por edhe me planin buxhetor të vitit 2024, asnjëra nga këto premtime nuk është realizuar dhe as nuk do të realizohen.

“Për me tepër në disa fusha ka pasë degradim të thellë”, ka shtuar Bajrami.

/Arbëria TV

Powered by WordPress