Shkruan: Afrim Kasolli- Nuk jam ithtar i përdorimit të nocionit tradhti. Mirëpo, për aq kohë sa përdoret koncepti “patriotizëm kushtetues” atëherë edhe ato veprime politike që e bllokojnë mbrojtjen e këtij rendi nuk kanë si të cilësohen ndryshe, pos tradhti ndaj demokracisë kushtetuese.
E, këtë model sot e ka përfaqësuar LDK-ja nën drejtimin Lumir Abdigjikut. Me vullnetin e përkulur të vartësit politik të Vjosa Osmanit për t’i shërbyer me çdo kusht pushtetit aktual, kjo parti ia njohu kësaj koniunkture politike të drejtat absolute. Me refuzimin për t’i dhënë nënshkrimet se bashku me PDK-në dhe AAK-në për ta adresuar para Gjykatës Kushtetuese mosveprimin e Presidentes në mosemërimin e Kryeprokurorit të shtetit, tashmë kjo parti e bekojë atë me atribute monarkike.
Që nga sot, ajo nuk ka nevojë ta mashtrojë opinionin publik se është opozitë e pushtetit. Nuk i ndihmojnë në këtë drejtim as spitullimet me podkasta dhe inskenimet e “rrugës së re”. Në vend të mbrojtjes së kushtetutës , kjo “parti institucionaliste” zgjodhi përuljen para të parës së shtetit në dëm të respektimit të aktit më të lartë ligjor në vend. Apo edhe iu nënshtrua deri në palcë shantazhit të Presidentes, së kush guxon ta dërgojë këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese do të ketë beteja politike me të.
Rjedhimisht, me këtë mosveprim LDK-ja është pajtuar që edhe institucionet e pavarura juridike dhe kushtetuese të shtetit duhet të shuhen, sepse në vend të parimeve të sundimit të ligjit, në këtë vend ka vlerë vetëm ligji i sundimtarit. Skadimi i afatit për ta adresuar këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet mend edhe si dita kur u vulos tradhtia politike ndaj parimeve të ndarjes së pushtetit dhe republikës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Tashmë në vend të manipulimit me emrin e Ibrahim Rugovës, ky subjekt duhet të shuhet në një degë të partisë në pushtet. Sepse edhe ashtu e ka introjektuar rrënjësisht konceptin e saj politik, se “lëvizja është mbi shtetin dhe kushtetutën”. Si dhe është shndërruar në një apologjete të verbër dhe tinëzare të asaj mendësie, ku kryeprokuror mund të jetë vetëm ai person që i pëlqen Kryeministrit Albin Kurti, sepse kështu ka vendosur populli.
/TV Arbëria