Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa takim trepalësh

Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa takim trepalësh

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar të enjten takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e vendit.

Takim trepalësh nuk ka pasur.

BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështje të energjisë.

Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian, raporton REL.

Petkoviq ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”.

Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.

/TV Arbëria

Powered by WordPress