Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Presidenti i Federatës Italiane të Volejbollit viziton Kosovën

Presidenti i Federatës Italiane të Volejbollit viziton Kosovën

Federata e Volejbollit të Kosovës, të enjten ka pasur mysafirë të veçantë. Për herë të parë në Kosovë ka qëndruar presidenti i Federatës Italiane të Volejbollit (FIPAV), Giuseppe Manfredi, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), Renato Arena. Në selinë e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Manfredi e Arena janë pritur fillimisht edhe nga krerët e lëvizjes olimpike në Kosovë, presidenti Ismet Krasniqi e sekretari i përgjithshëm Besim Aliti.

Krasniqi e Aliti i kanë falënderuar për vizitën që i kanë bërë Federatës së Volejbollit në Kosovë. Gjatë vizitës së tyre në KOK, ata janë shoqëruar nga presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi dhe anëtarja e bordit të FVK-së, Halime Fetahu. Krasniqi ka folur për raportet e mira që KOK-u i ka me Federatën e Volejbollit duke theksuar se poashtu është e rëndësishme që Federata Italiane ka po ashtu raport të mirë me Federatën e Volejbollit të Kosovës.

Në anën tjetër presidenti i FIPAV, Giuseppe Manfredi ka thënë: “Nuk kam ardhur të flas shumë, por të punojmë. Trajnerët tanë më të mirë të sektorit të të rinjve janë këtu në Kosovë dhe do të punojnë me djemtë e vajzat e reja këtu. Ne nuk flasim shumë, nuk jemi këtu për të thënë shumë fjalë, por ato fjalë që i themi, jemi këtu për t’i konkretizuar e realizuar”. Kënaqësinë e tij për vizitën në Kosovë e ka treguar edhe zëvendëspresidenti i CEV Renato Arena, për të cilin është hera e dytë që e viziton vendin tonë.

Pas takimit me krerët e KOK-ut, Manfredi e Arena e kanë vazhduar protokollin, sipas agjendës së paraparë, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress