Ka kohë që në opinionin publik po tentohet të arsyetohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe edhe mbi bazën e Planit të Ahtisarit. Se krijimi i tij nuk paraqet asgjë të jashtëzakonshme për rendin juridik, politik dhe kushtetues të Kosovës.
Përkundrazi, në këtë mënyrë shfrytëzohen dhe aktualizohen plotësisht potencialet që i përmban ky dokument, e mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia. Plan ky, që siç dihet e formon edhe bazamentin kushtetues të shtetit. Kurse struktura e tij ofron një kornizë tejet të avancuar për akomodimin dhe mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive edhe të minoriteteve. Pra në instancë të fundit ai është parimi fondator i Kosovës multi-etnike. Prandaj, me Bashkësinë e komunave serbe kemi hyrë në fazën e fundit të zbatimit të plotë të tij.
Mirëpo a mos mund të jetë e kundërta e vërtetë? Që pikërisht me krijimin e këtij entiteti të veçantë për serbët e Kosovës, po tejkalohen “kufizimet” e tij? Pra që Asociacioni më shumë se realizim i këtij plani është një mbivendosje sipër tij sepse ai ka “dështuar” t’i integrojë si “duhet” serbët e Kosovës. Dhe e tëra kjo, sepse veçanërisht serbët e veriut kanë rezistuar dhe nuk kanë pranuar që të akomodohen në kuadër të kësaj “pakete”.
Në këtë kontekst politik e ka bazën edhe projekti i Asociacionit. Ideja për themelimin e tij nuk erdhi për shkak se pala kosave nuk ishte treguar gjeneroze si duhet në zbatimin e planit të Ahtisarit. Por pikërisht sepse me anë të tij nuk u arrit të “blihet” vullneti politik i serbëve të Kosovës ta njohin realitetin e ri. Prandaj, edhe u kërkuan alternativa tjera që do ta çimentonin edhe me shumë autonominë e serbeve lokal.
Pjesë e këtij skenari dikur ishte dhe plani gjashtë pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ku parashihej që në zonat e banuara me shumicë serbe të ekzistonte një realitet paralel në raport me shtetin e Kosovës. Ndonëse ai plan u refuzua atëbotë, megjithatë e hapi shtegun që “detyrimi” i serbëve lokalë për ta pranuar Kosovën si shtet mund të arrihet vetëm me garantimin dhe sigurimin e një autonomie tjetër politike, kulturore, ekonomike dhe territoriale. Pra ky ishte tagri që Kosova duhet ta paguante pse nuk ia doli që ta shtrij sovranitetin e 17 shkurtit në gjithë territorin e saj. Kështu, ruajta e tij kërkonte kompromise shtesë. Dhe ky lëshim qëndron në themel të Asociacionit. Obligim ky të cilin e mori Kosova për “ta ndërtuar një kontratë të re më serbët lokalë të saj”, pasi ajo mbi të cilën u shpall shteti qe e papranueshme për ta. Në këtë rast brenda Kosovës së Ahitisarit do të jetojnë shqiptarët dhe etnitë tjera, kurse serbët brenda statutit të Asociacionit. E kur shfaqen kolizione ndërmjet këtyre dy realiteteve, atëherë është një autoritet suprem nga BE-ja që vendos për këto mosmarrëveshje
Prandaj, me statutin aktual për themelimin e tij Kosova përfundimisht ia abrogon vetes të drejtën që në pajtim me rregullat e saj të brendshme juridike dhe kushtetuese të vendos për mos-pajtimet eventuale me Asocaionin. Por, këtë mundësi dhe kompetencë e zhvendos në një instancë mbisovrane. Dhe ua bën të qarte serbëve të Kosovës që nuk janë kushtetuta dhe ligjet e shtetit që shërbejnë si korniza finale e realizmit të kërkesave të tyre, por një autoritet përtej tyre.
/TV Arbëria