Fahri Xharra përmes një postimi në Facebook është shprehur se ç’ kuptim ka të shkruash se jemi më të vjetrit në Europë, kur gjysma e jonë nuk janë më shqiptarë.
Postimi i plotë i Xharrës:
Ç’kuptim ka ta mbash veten racë superiore kur në kurriz ke të freskëta shenjat e kamzhikëve të racizmit?
Nuk ka kurrfarë kuptimi t’i kërkosh gjërat aty ku s’janë.
Ndoshta do të kishte më tepër kuptim sikur ta shfryje pak tollumbacen që mban mbi supe dhe të uleshe disi më poshtë, sa të të preknin këmbët në tokë.
Të përpiqeshe ta flisje dhe shkruaje shqipen më pastër e më qartë.
Të mundoheshe ta edukoje djalin dhe vajzën duke i dhënë shembullin e pastërtisë morale, ndershmërisë, dhembshurisë për të tjerët dhe nevojës për të qenë i drejtë.
Të hiqje dorë nga vemjet politike që kanë tridhjetë vjet që e kanë mbërthyer vendin për gryke dhe të kërkoje me urtësi dhe përgjegjësi qytetare rrugëzgjidhje të reja.
Të prisje ndonjë biletë koncerti, teatri, apo filmi për t’i dhënë një dorë talenteve të vendit.
Të lexoje ndonjë libër nga fillimi në fund.
Të punoje me ndershmëri, pa vjedhur, pa dhënë e marrë rryshfet.
Të toleroje mendimin e tjetrit dhe të pranoje idenë që edhe ai që e sheh botën ndryshe nga ti mund të ketë një farë të drejte.
E di që do thuash se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë përballë gjithë atij llumi që na ka mbytur përreth, por mos harro se ti je e vetmja shpresë e mbetur. Gjithçka fillon nga ti, nga unë.
Pjesërisht nga A. Kallamata.