Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Opozita ndërmjet shërbimit ndaj pushtetit dhe detyrimeve ndaj shtetit

Opozita ndërmjet shërbimit ndaj pushtetit dhe detyrimeve ndaj shtetit

Shkruan: Afrim Kasolli – “Një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara.” i ka quajtur i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, takimet që ka zhvilluar sot me përfaqësuesit e partive opozitare.

Ndërkohë, këta të fundit dalluan sa i përket asaj se çka kanë diskutuar në këtë takim. Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shprehën se nuk e kanë pasur rastin ta shohin draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që kohë më herët i ishte dorëzuar Qeverisë nga pesë emisarët perëndimorë. Dhe për të cilën është pajtuar edhe Kryeministri Albin Kurti. Se vazhdojnë të jenë në terr informativ etj etj. Por se vetëm u është thënë se si tillë ai është në pajtim më frymën e Kushtetutës.

Kurse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh se i ka rënë në dorë ky dokument “enigmatik”. Pak është e besueshme që të njëjtin të mos  e kenë shqyrtuar edhe dy përfaqësuesit e LDK-së dhe PDK-së?

Është jashtë çdo logjike që një parti më vogël se dy të parat të ketë pasur qasje në të, kurse dy tjerat jo. Aq më tepër kur këto dy parti herë të ndara e herë në bashkëqeverisje ishin pajtuar për Marrëveshjen parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në vitin 2013, ku edhe parashihej themelimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, dhe marrëveshjen e vitit 2015 kur u hodhën bazat legale të këtij entiteti.

Mirëpo, siç duket të zëna ngushtë me përmbajtjen e tij si dhe pamundësitë për ta refuzuar atë, në këtë mënyrë tashmë këto parti  tentojnë të blejnë edhe pak kohë për t’iu shmangur interesimit dhe presionit të publikut për përmbajtën e këtij drafti.

Por me këto driblime taktike, ato e përqafojnë pikërisht atë mendësi dhe metodë për të cilën e kritikonin edhe Albin Kurtin për jo transparencë në këtë proces. Madje, me qëllim që të qartësohet para opinionit ky plan, javën e kaluar me kërkesë të tyre ishte ftuar kryeministri që të raportonte në Kuvend të Kosovës.

Prandaj, të tri këto parti tashmë janë para një sprovë themelore. A do t’i veprojnë sikur pushteti duke e mbajtur sekret këtë draft-statut vetëm për rrethet e tyre të ngushta partiake dhe larg syve të opinionit të gjerë, sepse kështu i ka urdhëruar Mirsosllav Lajçaku, apo të njëjtin do ta bëjnë publik dhe do t’i tregojnë sovranit, për shkak të detyrimeve demokratike ndaj tij, se çka është vendosur në sallonet e diplomacisë mbi shtetin e Kosovës, .

Duke ndjekur rrugën e parë dëshmojnë se sa false e kanë pasur kritikën ndaj Albin Kurtit. Sepse tashmë ato i janë bashkuar qerres së tij politike. Kurse dallimet i kanë vetëm formale, me qëllim që të legjitimohet më lehtë zbatimi i Asociacionit. E një politikë që e braktis sovranin për të qenë e pranueshme për pushtetin në fund i humb të dyja.

/TV Arbëria

Powered by WordPress