Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se patën mundësi që të njoftohen me dokumentin e draft-statutit për Asociacionin.
Për dallim nga kolegët e tij opozitarë nga PDK e LDK që deklaruan se nuk u njoftuan me dokumentin, Haradinaj e tha të kundërtën.
“Sapo e përfunduam takimin me z.Lajçak dhe patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft statutit të Asociacionit, që ta lexojmë në tërësi. Kemi lexuar draftin në tërësi, drafti e shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se qëndrimet si AAK rreth këtij draft-statuti do t’i bëjnë të ditura pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Komentet tona do t’i bëjmë të ditura pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, sepse në hyrje të dokumentit shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Haradinaj.
Haradinaj shtoi se me implementimin e Asociacionit, Kosova do ta bëjë një hap të madh përpara drejt rrugës euroatlantike.
“Kosova e bënë një hap të madh përpara me implementimin e Asociacionit, mund të them edhe një kompromis të madh”, tha ai.
/TV Arbëria