Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Të kërkosh justifikim për mashtrim

Të kërkosh justifikim për mashtrim

Shkruan: Afrim Kasolli

I gjithë fjalimi dje dhe në përgjithësi reagimet Kryeministrit Kurti para deputeteve të Kuvendit të Kosovës gatë raportimit për dialogun dhe pajtimin e tij për pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe,  nuk qenë asgjë tjetër, pos një përpjekje cinike për të kërkuar justifikim për mashtrimet e tij.

Fillimisht për pranimin e Asociacionit ai tentoi ta zhvesh vetën nga përgjegjësia, sepse kjo strukturë qenka trashëgimi nga e kaluara. Mirëpo, që pajtimi për “Asociacionin kundër zajdenicës” i ka thënë fund trashëgimisë mosnjohëse të Kosovës nga Serbia. Po ashtu, edhe serbët e Kosovës tash e tutje do ta kenë të qartë se e ardhmja e tyre është në shtetin multietnik të Kosovës dhe kështu kanë vdekur opsionet tjera politike, për këmbime territoriale etj etj.

Mirëpo, që ende ky entitet nuk ka  vlerë detyruese për Kosovën, ngase  nuk është nënshkruar nga Serbia. Por nëse me anë të tij merr fund mosintegrimi i serbëve të Kosovës është absurde të pritet nënshkrimi i Beogradit. Ky i fundit nuk e ka nënshkruar as Marrëveshjen e Rambujese, por delegacioni i Kosovës e pat bërë një gjë të tillë dhe në këtë mënyrë vendi i ynë e fitoi lirinë. Edhe në këtë rast nuk mund të pritet që Beogradi të pajtohet me një draft-statut që merr fundi pushteti i tij në Kosovë. Nëse është ashtu si thotë Kryeministri, atëherë vonesat për ta zbatuar atë, janë në funksion të agjendës së Serbisë, për ta zgjatur pushtetin e saj në zona të caktuara në Kosovë. Ndërkohë, në anën tjetër pa shkuar shumë kohë deklaronte se nuk e ka pranuar këtë solucion. Absurde.

E dyta kur deputetet e opozitës ia kujtonin kontradiktat e tij ndër vite, Albin Kurti tentonte t’i relativizonte këto kritika me “argumentin” se po sillen sikur të ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendose dhe që në Këshill të Përgjithshëm kërkojnë të gjejnë shkarje ndërmjet asaj që i ka premtuar me herët dhe mënyrës se si sillet tash. Mirëpo, kjo nuk është e mundur, sepse paraprakisht që të insistojnë për një gjë të tillë, deputetet e opozitës duhet të anëtarësohen në këtë subjekt politik. Pra Kryeministri ia bërë të qartë shoqërisë se atë askush nuk ta të drejtë ta marrë në pyetje që nuk i takon grigjës së tij politike. Llogari mund të kërkojnë vetëm ndjekësit e tij dhe jo të tjerët. Ndërkohë këtë qëndrim ka filluar ta manifestojë gjithnjë e më hapur kohën fundit, duke mos pranuar as të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputeteve që nuk i takojnë partisë në pushtet, duke i shkallmuar kështu parimet normative kushtetuese të demokracisë parlamentare.

Në fund ai nuk pranoi ta shpalos para sovranit përmbajtjen e këtij dokumenti sepse këtë nuk guxon ta bëjë, ngase ia kanë kërkuar emisarët ndërkombëtarë. Kaq sa i përket retorikës së tij për sovranitet dhe demokraci që duhet të vendos nga poshtë-lartë. Tashmë i pari i Qeverisë ka “vetëvendosur” që t’ia imponojë shtetit një entitet nga lartë –poshtë, e cili do të ketë ndikim jo vetëm për ketë gjeneratë, por edhe për breza të tërë, as pa e informuar popullin, sepse këtë ia kërkojnë disa diplomatë me mandat të përkohshëm.

Është kjo qasje “post-demokratike” ku Albin Kurti është bërë mishërimi më i dalluar i saj. Falë këtyre koordinatave të ushtrimit të pushtetit, elitat e mbyllura ndërkombëtare dhe nëpër sallone vendosin prapa shpinës së popullit dhe shtetit, nëpërmjet agjenteve të tyre në krye të qeverive lokale. Ashtu sikur se në rastin tonë, duke e shkelur dhe shpërfillur totalisht edhe të drejtën elementare të shoqërisë për të qenë e informuar për fatin e saj politike, e lëre më diçka më shumë.

Mbase harrova të shtoj edhe faktin se disa nga vartësit e tij tashmë janë të informuar, Presidentja, Kryeparlamentari dhe Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Një ndare bizare kjo e shoqërisë dhe politikës në dy kasta, në pushtetin që ka të drejtë të jetë i informuar dhe në ata që nuk i takojnë atij, e që duhet të përjashtohen nga ky “privilegj”.  Duke  e përmbysur kështu mësimin bazik të demokracisë deliberative se të gjithë ata që janë potencialisht pjesëmarrës në një diskurs duhet të kenë të drejta të barabarta të flasin në një mënyrë të tillë që diskursi të jetë vazhdimisht i hapur, si ndaj argumenteve të të tjerëve, ashtu edhe ndaj kundërargumenteve, si për pyetje, ashtu edhe për përgjigje.

/Arbëria TV