Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë t’i largojnë nga Rripi i Gazës 74 amerikanë me dyshtetësi, tha të enjten presidenti amerikan, Joe Biden, një ditë pasi nisi evakuimi nga Gaza përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, Rafah.
“Lajm i mirë, ne i nxorëm sot [nga Gaza] 74 amerikanë me dyshtetësi”, tha presidenti Biden para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Biden kishte thënë se qytetarët amerikanë do të mundë të fillonin të largoheshin nga Gaza të mërkurën.
Gaza, një vend i vogël mesdhetar, po përballet me bombardime të pareshtura izraelite prej se grupi militant palestinez, Hamas, kreu sulme në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, ku i vrau mbi 1.400 njerëz dhe i mori mbi 40 pengje për në Gazë.
Hollësi shtesë se kush kishte mundësi të largohej nga Gaza dhe kur nuk u bënë publike.
Bideni e përkrah fuqishëm Izraelin – të cilin e vizitoi muajin e kaluar pas sulmeve – por e ka ndryshuar reagimin në javët e fundit, duke e parë përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë dhe rritjen e numrit të civilëve të vrarë.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, thotë se më shumë se 9.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite në enklavën me 2.3 milionë banorë prej 7 tetorit./REL
/TV Arbëria