Një politikë dhe pushtet e dallon veten pikërisht nga prioritet që i definon për t’i realizuar. Pra në këtë sferë nuk kanë rendësi fjalët, retorika e zbrazët dhe premtimet boshe. Përkundrazi, nëse këto të fundit nuk shoqërohen me veprime konkrete janë demagogji dhe asgjë më shumë. Mjet për të manipuluar me nevojat e njerëzve për qëllime politike. E që nga Platoni kjo formë e komunikimi politik u konsiderua si kërcënim për demokracinë.
Në këtë kontekst, deri më sot këtë pushtet e ka karakterizuar një kontradiktë bizare. Fillimisht i kishte shpërfillur kërkesat e sindikatës së arsimit. Kurse sot me të njëjtën mënyrë është duke i’u qasur kërkesave të Njësisë Speciale (FIT) të Policisë së Kosovës dhe atyre të minatorëve në ndërmarrjen e Trepçës. Madje, edhe mohimin e tyre po e bënë me një gjuhë neveritëse. Dhe më lloj-lloj arsyetime, se të tilla kërkesa nuk mund të realizohen duke marrë parasysh buxhetin e varfër të shtetit. Pavarësisht faktit, se deri sa ishin në opozitë të njëjtit pohonin se nuk jemi të varfër por të vjedhur.
Mirëpo, më të ardhur në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, përkundër buxhetit të varfër të shtetit nuk ka nguruar t’i shtojë privilegjet e zyrtarëve politikë dhe deputeteve. Këtyre të fundit u ka caktuar edhe asistentë personalë, të cilët mbase të vetmen punë që e kanë është t’u mbajnë çantat e urdhërdhënësve të tyre, e duke i paguar me rrogë më te madhe se a pjesëtaret e të Policisë së Kosovës që po kërkojnë kushte me të mira.
Me këtë qaseje tashmë ky pushtet po tregon qartë se për të afirmimi i servilitetit dhe propagandës vlerësohet shumë më shumë se sa puna e ndershme në thellësi të tokës së Kosovës, apo mbrojtja e atdheut dhe rrezikimi i jetës për të, ashtu siç e dëshmuan pjesëtaret e kësaj njësie duke u përballur me agresionin terrorist të gruporëve paramilitare nga Serbia me 24 shtator.
/TV Arbëria