Ballkani e ka fituar derbin e xhiros së 12-të të Superligës së futbollit dhe të krejt pjesës së parë të sezonit.
Kampioni i Kosovës e mposhti Dritën me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar në Suharekë.
Lumbardh Dellova e shënoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë në minutën e 37-të.
Në pjesën e dytë, therandasve iu anulua goli i Walid Hamidi në minutat e fundit, ndërsa ata e qëlluan edhe shtyllën.
Nga ana tjetër, gjilanasit luajtën mjaft mirë, madje edhe më mirë se ekipi Portokalli, sidomos në pjesën e parë, por nuk ia dolën të shënonin përkundër rasteve që i kishin.
Ballkani u shkëput në 7 pikë ndaj Dritës falë kësaj fitoreje duke treguar se edhe sivjet është kandidati kryesor për ta fituar titullin e kampionit.
Ndërkohë, Prishtina u dorëzua përballë Malishevës, e cila fitoi me rezultat 1:0.
Golin e fitores për Malishevën e realizoi Ilir Mustafa nga penalltia në minutën e 86-të.
Fitores iu gëzua edhe Gjilani, i cili e mundi Feronikelin me rezultat 2:1.
Golat për gjilanasit i shënuan Ismajli e Milev, kurse për ekipin nga Drenasi realizoi Shillova në minutat e fundit.
Nesër do të luhen edhe dy ndeshje të tjera, Llapi – Fushë Kosova e Liria – Dukagjini.
/TV Arbëria