Deklarimi i mbrëmshëm i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier se shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të funksiononte apo të merrej parasysh vetëm nëse ka mbështetje ndërmjet dy popujve, tregon se për Uashingtonin një skenar i tillë është një opsion që nuk është hedhur kurrë poshtë apriori.
Natyrisht, sipas tij, aktualisht diplomacia ndërkombëtare është duke punuar dhe mbetet e angazhuar në një model tjetër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky model dervion nga dialogu që ka filluar në vitin 2011 dhe ku janë nënshkruar disa marrëveshje ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin BE-së. Por, nëse ka pajtim demokratik për opsione tjera, atëherë ajo nuk mund të përjashtohet, ishte pak a shumë mesazhi i “heshtur” i top diplomatit të Amerikës në Kosovë.
Se SHBA-të kanë qenë për ta marrë në konsideratë edhe këtë zgjidhje si mundësi finale për marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është diçka e re. Një gjë e tillë ishte përmendur para një kohe edhe në studimin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ISG) me seli në Uashington në punimin e njohur “Relaunching the Kosovo-Serbia Dialogue”.
Ky think tank i njohur pohonte, se pas më shumë se një dekade të bisedave në mes Kosovës dhe Serbisë, gjendja nuk është se ka ndryshuar shumë pozitivisht. Procesi vazhdon të jetë në krizë. Dhe zgjidhja nuk duket në horizont.
Prandaj, ekzistojnë disa mundësi që të arrihet deri te një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovë. E para i ngjason një lloj këmbimi tregtar. Me këtë rast BE-ja do të shndërrohej në donator enorm financiar për Serbinë dhe pranimin saj në kuadër të bllokut me procedura të përshpejtuara në këmbim të njohës së Kosovës. Mirëpo, ky skenar duket utopik, sidomos kur marrim parasysh dinamikat e bllokut evropian ashtu edhe qëndrimin jo unik as të kësaj strukture supranacionale për statusin e Kosovës.
Si mundësi e dytë përmendej autonomia për serbët e Kosovës, në këmbim të marrëveshjes finale. Por, për shkak të rrethanave në Kosovë atëbotë edhe kjo mundësi dukej pak e realizueshme
Në raport me këto dy modele, ky vështrim analitik kishte kujtuar se si opsion i tretë mund të jetë edhe ai i korrigjimit të kufijve, apo territoreve. Në këtë mënyrë këto elemente do të përfshiheshin në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë mënyrë do të zhbllokohej “shtetësia e kontestuar” e Kosovës. Ndërkohë. kësaj të fundit do t’i hapej rruga për anëtarësim në OKB, NATO dhe Bashkim Evropian. Madje, me këtë rast kritikohej edhe Bashkimi Evropian se pse i mbante bllokuara biseda të tilla
Natyrisht, në mungesë të pajtimit për të lëvizur përpara në njërin nga këta skenarë, do të vazhdonte gjendja aktuale e satus quos deri në një të ardhme të paqartë, ku të dy vendet shpresojnë deri në rrethana më të favorshme ndërkombëtare për t’i realizuar më lehtë interesat e tyre strategjike.
Sidoqoftë, këtu duhet pasur parasysh se ky vështrim ishte shkruar para dakordimit të Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe asaj të Ohrit për zbatimin e të parës. Por përsëri edhe kjo marrëveshje nuk është as finale dhe as përfundimtare. Por vetëm një intermexo për një proces që nuk i shihet fundi. Me këtë rast, mjerisht Kosova është pajtuar “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Si dhe zyrtarizmin e statusit të e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ofrimit një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropian”, por pa marrë në këmbim njohje nga Serbia.
Prandaj, shtrohet pyetja e mund të ndodh që pikërisht pas forcimit edhe më shumë të kompetencave autonome për komunitetin serb të përkeqësohet edhe më shumë kriza e brendshme politike dhe kushtetuese, dhe atëherë opinioni të bindet se mbase zgjidhja ideale është opsioni i tretë që ishte parashikuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe që tërthorazi mbrëmë u përmend edhe Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier.
/TV Arbëria