Më mungon koha
Më mungon koha
kur e mësova fjalën “jo”
dhe kur e shqiptoja
në shoqërimin
e paralajmërimeve
thua ti ekuivalente
me kërcënimet e shteteve të mëdha
ti nuk do të luash me topin tim
ti nuk do ta marrësh lapsin tim
ti nuk do të vish me ne askund
fjala “jo” më rriti
një mëngjes u zgjova pa fjalën “jo”
jeta e kishte shlyer me gomën e vet
nga atë ditë
njoh vetëm zvogëlimin
FJALË NGA LETRAT E SHQYERA
Aty ishte vend i letrave të hedhura
(libra fletore gazeta)
të cilat askënd s’e tërhiqnin
qoftë edhe për t’i djegur
pos një djalë të pafat në dashuri
që duke shkapuritur
e gjeti një “Të” nga një copë
dhe një “dua” nga një copë tjetër
për ta bërë një “Të dua”
në kujtim të ish- të dashures
MUNGESË
Qindra gra në shesh i pashë,
jo qindra, ndoshta njëmijë,
asgjë asnjërës s’i thashë,
të gjitha fjalët i ruajta për ty.
Qindra zëra ato lëshuan,
jo qindra, ndoshta njëmijë,
veshët e mi asnjë s’dëgjuan,
ishin të hapur veç për ty.
Qindra këmbë shkelën tokën,
jo qindra, ndoshta njëmijë,
dukej tërmet goditi botën,
po zemra u dridh veç nga ti.
Pastaj qindra herë mendova,
jo qindra, ndoshta njëmijë,
pse jam këtu në orë të vona,
pse nuk jam atje ku je ti.
/TV Arbëria