Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pajtimi i opozitës me pushtetin për ta shpërfillur rezolutën e Kuvendit për hetim ndërkombëtar

Pajtimi i opozitës me pushtetin për ta shpërfillur rezolutën e Kuvendit për hetim ndërkombëtar

Është bërë e zakonshme që rezolutat e Kuvendit të  Kosovës pasi të  miratohen të  përfundojnë  në sirtarët e pluhurosur të këtij institucioni, dhe të mos kenë asnjë detyrim juridik dhe politik. Pra sikur të ishin lajmërime që reklamojnë ndonjë mall.

Një fat të tillë të ngjashëm mund ta ketë edhe rezoluta e miratuar me 28 shtator e cila e dënonte sulmin e grupeve terroriste serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo rezolutë në mes tjerash kërkonte që të zhvillohet një hetim ndërkombëtar më qëllim zbardhjen e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e kampeve stërvitore të grupeve terroriste në Serbi ”. Me këtë akt, sipas kryetarit të  Kuvendit të  Kosovës Glauk Konjufca,  Kosova kërkonte “ nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”.

Ideja për ta realizuar një proces të tillë ishte mbështetur edhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Në  një intervistë për REL, Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, deklaronte se “është  shumë  e rëndësishme që sulmi i 24 Shtatorit të  hetohet nga një  ekip ndërkombëtar” . Për avokatin Ellis, ekzistojnë disa mënyra se si mund të realizohet ky hetim. E para kjo mund jetësohet nëpërmjet një mandatimi nga Kombet e Bashkuara. Emërohet një trup nga sekretari i përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme. Kurse si metodë e dytë ekziston edhe mundësia e mnadatimit jashtë sistemit të  OKB-së . Në këtë rast do të mund të bëhej kërkesë për një mision shumëpalësh për hetime, ku disa vende  bëhen së bashku dhe kryejnë një hetim objektiv dhe intensiv, ngase “është shumë e rëndësishme në rastin e Kosovës që të bëjë përpjekje për të gjetur se kush ka qenë përgjegjës për grupin e terroristëve [në Banjskë], a ka pasur mbështetje shtetërore apo ka vepruar i vetëm. Të gjitha këto duhet të hetohen dhe pa vonese”.

 

Ndërkaq, ky hetim justifikohej edhe me faktin se do ta përmirësonte tej mase pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e dialogut që po zhvillohej në Bruksel, sepse më në fund do të zbulohej fytyra e vërtetë e Serbisë. E cila ditën shfaqet si shtet i interesuar për paqe dhe dialog, kurse natën organizon dhe orkestron inkursione terroriste dhe paramilitare kundër integritetit territorial të Kosovës. Prandaj, edhe liderët kryesorë shtetëror të Kosovës, duke filluar nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryekuvendari Glauk Konjufca, pas 24 shatorit në vazhdimësi kanë deklaruar se shteti ynë nuk mund të kthehet në tavolinën bisedimeve thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Përkundrazi, duhet të ndryshojë formati i dialogut dhe atë vetëm pasi Serbia të sanksionohej ndërkombëtarisht. Mirëpo, deri te kjo ditë duhej kohë, sepse paraprakisht Bashkimi Evropian dhe SHBA-të nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa pasur një raport kredibil të hetimeve zyrtare.

 

Sidoqoftë, përkundër këtij procesi të domosdoshëm,  javën që shkoi, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, ndonëse nuk takuan drejtpërdrejtë ndërmjet vete, megjithatë gjatë takimeve që zhvilluan me liderët kryesorë evropianë sikur se presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni në samitin e BE-së në Bruksel, janë pajtuar për ta vazhduar procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura derti më tani. Në funksion të kësaj agjende madje i pari i Qeverise së Kosovës, me të kthyer në Prishtinë, pohoi se “është pajtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Dhe këtë hap ai e ka ndërmarr pa përfunduar hetimet ndërkombëtare ndaj Serbisë. Hetime këto, të cilat as nuk dihet se a kanë filluar? Apo a është bërë kërkesë për ta mandatuar ndonjë trup ndërkombëtar për fillimin e tyre?

Para pak dite Arbëria TV u kishte dërguar pyetje përfaqësueseve të partive politike në Kuvendin e Kosovës për t’u informuar më në detaje për fatin e kësaj rezolute. Pra se a kanë filluar të ndërmerren veprime në funksion të zbatimit të saj, por mediumi në fjalë s’ka marrë përgjigje si nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe nga ato në opozitë, Partia Demokratike e Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kështu edhe përkundër faktit se kjo rezolutë është në fuqi, pushteti i është kthyer procesit të dialogut, duke u pajtuar që në aspektin ndërkombëtar nuk ka fajtor zyrtar për atë që ka ndodhur me 24 shtator. Prandaj edhe të dy vendet duhet të angazhohen për shtensionim të situatës, kurse partitë opozitare mjaftohen me reagime në rrjete sociale, ngase nuk janë në gjendje ta mbrojnë as dokumentin për të cilën u pajtuan me vullnet të plotë për ta votuar.  Me këtë rast nëse pushteti ka vendosur ta shpërfill këtë detyrim, po ashtu opozita me (mos)veprim është pajtuar me pushtetin.

/TV Arbëria