Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vjedhja e kohës nga Albin Kurti

Vjedhja e kohës nga Albin Kurti

Pranimi Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga Albin Kurti shënon kulmin e odiesadës së tij të mashtrimeve politike për më shumë se një dekadë. Ashtu sikur se shumë tema tjera që i kishte përdorur për t’u ngritur politikisht, e për t’i degdisur më pastaj si lecka në koshin e mbeturinave elektorale, njëjtë veproi edhe me këtë kauzë. Me këtë kapitullim të pashembullt galeria e jetëshkrimit të tij politik përbëhet nga një seri e pafundme e manipulimeve kombëtare dhe shoqërore.

Prandaj, edhe konferenca e tij për shtyp me tu kthyer nga Brukseli, kur deklaroi se ka rënë dakord për themelimin e Bashkësisë (autonomisë territoriale për komunitetin serb në Kosovë) nuk ishte asgjë tjetër, pos një materie funebre ku i pari i Vetëvendosjes e shpalli kumtin mortor të “rezistencës” partiake dhe personale ndaj këtij projekti.

E në këtë drejtim ka edhe shumë tema tjera më të cilat ai ka abuzuar. Ndër më të njohurat mbetet ajo e Bashkimit Kombëtar. Për një kohë të gjatë e përdori si armë shpirtërore për të përndezur zemrat dhe mendjen e një pjesë të shoqërisë për përftime personale. Me qëllim që të shfaqet në opinion si përfaqësuesi i fundit i gjeneratës së idealistëve kombëtarë.

Por vetëm në fund për ta “zbuluar” se ky mision nuk mund të realizohet sepse nuk e lejon Kushtetuta. Thuajse kjo e fundit të ishte shkruar ditën kur ky e mori pushtetin.

Njëjtë kishte vepruar edhe me Planin e Ahtisarit. E kishte shpallur si paketë që duhet hedhur në kontejnerë. Por për t’u rehatuar më pastaj i kollarisur dhe i rrethuar nga një shpurë vartësish në kolltukët e pushtetit, që e kanë bazën në atë plan, si dhe për ta glorifkuar rolin e ish-diplomatit finlandez pas vdekjes së këtij të fundit, përkundër faktit se dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ishin vrarë duke protestuar kundër planit të tij.

Ndërkaq, për një kohë të gjatë i kishte nxitur aktivistët e partisë së tij të protestonin kundër EULEX-it, duke e quajtur mision kundër sovranitetit të shtetit. I kishte santaziuar dhe atakuar ata ishin pajtuar me instalimin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, por duke ia vazhduar mandatin këtij entiteti në mënyrë jo-kushtetuese dhe tinëzare së bashku me noterën e tij, Presidenten Vjosa Osmani.

Asgjë nuk i shpërfaq këto qëndrime hipokrite të kryeministrit se sa manipulimi me të pagjeturit. Për një kohë të gjatë kishte trumbetuar se nuk bën të bisedohet me Serbinë, derisa kjo e fundit nuk na i paguan dëmet e luftës, kërkon falje dhe nuk i kthen të pagjeturit. Mirëpo, edhe këtë kauzë të dhimbshme do ta shpërfill në dialog me autoritetet serbe. Madje, Marrëveshjen e Ohrit e shndërroi në arkëmort të kësaj teme të dhimbshme. E varrosi njëherë e përgjithmonë, edhe pse shpirti i tyre nga parajsa e panteonit të historisë kombëtare na fton jo për harresë, por për drejtësi. Shpërfillja e këtij detyrimi, nuk është asgjë tjetër, pos riviktimizim i tyre.

Këtë sjellje asgjë nuk e pasqyron më mirë se sa ajo sentenca e njohur se “fundi e kuptimëson fillimin”. Prandaj, ku fund i palavdishëm politik tregon se krejt karriera e tij nuk paska qenë asgjë tjetër pos vjedhje e kohës për shqiptarët për interesa dhe karrierë personale. E nuk ka krim më të madh për një shoqëri se sa ky abuzim. Sepse ajo është edhe vjedhje e së ardhmes. Historia lëviz edhe ka e ardhmja. Prandaj, duke e shpërdoruar këtë dimension të kohës,  Albin Kurti me  veprime të tilla ka përfunduar në mesin e figurave anti-historike.

Lëshimi pe ndaj kërkesave serbe për Asociacionin, pak ditë pasi ajo e sulmoi Kosovën e ka vulosur fatin e tij politik. Si njeri që bënë kompromise pikërisht atëherë kur duhet më së paku për të bërë. Sepse ky akt nuk është asgjë tjetër pos legjitimim i këtij sulmi terrorist nga grupet paramilitare serbe. Është sakrifikim i interesave shtetërore për të qetësuar apetitet politike dhe territoriale ndaj Kosovës të politikës hegjemenosite të Beogradit.

/TV Arbëria

Powered by WordPress