Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Maliqi: Emisarët perëndimorë me ultimatum për Kurtin e Vuçiqin

Maliqi: Emisarët perëndimorë me ultimatum për Kurtin e Vuçiqin

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se nga ajo që është kuptuar deri më tash, në planin e pesë emisarëve perëndimorë që qëndruan në Kosovë e Serbi përfshihet çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Me gjasë [emisarët perëndimorë] kanë ardhur me një ultimatum mbi sekuencën dhe hapat se si do të shkohet deri te zbatimi [i marrëveshjes]. Propozimi, me gjasë, nuk është i hapur për komentet e palëve, por më shumë është si dokument ose si një sekuencë e formës ‘pranoje ose lëre’. Kjo duket qartë, për shkak se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes, po harxhohen”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fakti që ekzistojnë pritje që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen sa më shpejt, tregon që vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia – kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe hapa të shpejtë nga të dyja palët.

Maliqi thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve me siguri që nuk lënë anash as sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Në lidhje me zhvillimet në veri, gjithsesi duhet të ketë dhe besoj se do të ketë [kërkesa nga emisarët perëndimorë], qoftë në formën e kushtëzimeve për Serbinë në rrugën e saj integruese, apo edhe ndonjë propozim konkret se çka pritet prej Serbisë në kuptimin e marrjes së masave ndaj grupit [të armatosur]. Kjo besoj se është shumë e nevojshme që të krijohet një lloj fryme e parandalimit të çfarëdo përpjekjeje të ardhshme për destabilizim”, thotë Maliqi.

Pranimi i kërkesave të emisarëve perëndimorë, sipas tij, do të varet nga pasojat që po këta emisarë do t’ua komunikojnë palëve, në rast se nuk i pranojnë ato.

/TV Arbëria

Powered by WordPress