Ministria e Shëndetësisë po paralajmëron për “katastrofë humanitare” pasi spitali i Gazës ka reduktuar trajtimet për shkak të mungesave të furnizimeve esenciale.
Institucioni kryesor mjekësor i Gazës, Spitali Al-Shifa, po redukton kohëzgjatjen e seancave të dializës për qindra pacientë me veshka pasi furnizimet me energji elektrike dhe karburant po pakësohen për shkak të bllokadës izraelite, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, raporton CNN.
Nga më shumë se 1,100 pacientë me dështim të veshkave në Gaza, 450 marrin trajtim në spitalin Al-Shifa, njoftoi ministria.
Kushtet e sigurisë po e bëjnë gjithashtu të vështirë për pacientët qasjen në spitale, bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Marwan Abu Saada.
Në një video të postuar nga ministria, një pacient me veshka brenda spitalit Al-Shifa njoftoi se ai po jeton në spital.
“Unë nuk mund të vij (në spital), fle këtu me gruan time në një nga dhomat e spitalit” tha ai. “Pjesa tjetër e familjes sime po qëndrojnë në dy tenda atje (në kompleksin spitalor Al-Shifa)”.
Rreth 1.4 milion njerëz, që përbëjnë mbi 60% të popullsisë së Gazës, janë zhvendosur nga qyteti që nga 7 tetori, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare të shtunën.
Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi se mungesa e energjisë elektrike dhe karburantit “do të çojë në një katastrofë të madhe humanitare, veçanërisht për pacientët me veshka të dështuara”.
Më tej u bëri thirrje civilëve dhe pronarëve të pikave të karburantit në Gaza që të dhurojnë çfarëdo sasie karburanti që kanë për spitalet për të “shpëtuar jetën e të plagosurve dhe pacientëve”.
/TV Arbëria