Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Dallku: Ekipi tregoi shpirt luftarak, kemi analizuar gabimet që bëmë në mbrojtje

Dallku: Ekipi tregoi shpirt luftarak, kemi analizuar gabimet që bëmë në mbrojtje

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka veçuar pas ndeshjes shpirtin luftarak të skuadrës së tij ku ka bërë thirrje që ata të bëjnë më të mirën çdo ndeshje, pavarësisht kush luan në fushë.

Dukagjini fitoi me rezultat 4-3 si mysafir tek Malisheva, duke shënuar të gjithë golat në pjesën e dytë.

“Bëmë dy gabime në dy raste për të cilat kishim kërkuar të jemi të kujdesshëm, sidomos në javët e fundit në pauzë. Malisheva e kemi ditur se ka lojtarë të shpejtë në vijën e fundit. Ishim të pavëmendshëm në ato raste. Në pjesën e dytë rregulluam disa gjëra dhe bëmë ndryshime dhe e dinim se Malishevën duhej ta mposhtnim. Ishim më lartë se ta. Veçoj shpirtin luftarak të ekipit që nuk u zmbraps për asnjë moment dhe e ëkrkoi fitoren, dhe ajo erdhi si rezultat i aksioneve që bëmë. Falënderoj edhe tifozët që ishin në mbështetje. Duhet të punojmë e t’i përmirësojmë gabimet për të ecur para, me dëshirën dhe vullnetin që kemi”, ka thënë Dallku fillimisht.

Tutje, ai tregoi se si ata i kanë analizuar me kujdes gabimet që kanë bërë në fazën e mbrojtjes.

“Kemi bërë analizë të thellë të fazës së parë ku kemi çaluar e kemi pranuar gola. Kemi bërë ndeshje të mëdha dhe kemi shkuar shumë herë në portën kundërshtare. Sot ndodhi e kundërta. Normalisht, presim që në çdo ndeshje ta bëjmë më të mirën, pavarësisht se kush luan në fushë. U them lojtarëve që secili duhet ta shfrytëzojë rastin. Ata që u futën në pjesën e dytë dhanë më të mirën. Në fund të fazës së dytë mendojmë se do të jemi lartë në tabelë, sepse kemi potencial dhe grup të mirë lojtarësh. Kemi pasur luhatje të suksesit sepse Evropa na ka sjellë një gjë të tillë. Kishim kampionat të ngarkuar e të vështirë, pastaj erdhën ndeshjet në Ligën e Konferencës dhe kemi pasur disbalanc në mes të përgatitjeve dhe fillimit të sezonit të ri”, përfundoi ai.

Pas kësaj ndeshje Dukagjini gjen veten në pozitën e gjashtë në tabelën e klasifikimit, teksa kjo ishte vetëm fitorja e dytë për ta në këtë edicion të ri të garave.

/TV Arbëria

Powered by WordPress