Kanë dalë sot në shitje biletat për ndeshjen Zvicër – Kosovë, e cila do të luhet në muajin nëntor, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
Federata Zvicerane e Futbollit ka njoftuar përmes faqeve zyrtare në rrjetet sociale se i ka nxjerr në shitje biletat për duelin e 18 nëntorit, i cili do të luhet në Basel duke filluar nga ora 20:45.
Çmimi i biletave do të sillet nga 15 deri në 95 euro.
Kjo ndeshje nuk do të ketë rëndësi shumë të madhe për Kosovën, së cilës i janë shuar gjasat dhe shpresat për kualifikim në Kampionat Evropian.
Kurse, për “Helvetikët” fitorja do të kishte rëndësi të madhe pasi e shohin veten në vështirësi pas barazimit të fundit me Bjellorusinë.
Loja e parë mes Kosovës dhe Zvicrës, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kishte përfunduar me rezultat të barabartë, 2:2.
/TV Arbëria