Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > AAK-ja me Rezolutë mbështetëse për të përkrahur atë të PE-së

AAK-ja me Rezolutë mbështetëse për të përkrahur atë të PE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka deklaruar sot se do të propozojë Rezolutë mbështetëse për të përkrahur atë të Parlamentit Evropian lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Rezoluta e PE-së që përmban 28 pika në të cilat flitet për zhvillimet e fundit politike dhe procesin e dialogut, e dënon në formë të fuqishme këtë agresion.

“GP i AAK-së do t’i propozojë Kuvendin mbajtjen dhe miratimin e një deklarate politike për dy çështje; e para një rezolutë mbështetëse nga Kuvendi për rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila si asnjë herë më parë e ka dënuar sulmin në Banjskë”.

“Unë nuk e di a e keni parë këtë Rezolutë, por kjo Rezolutë e PE e dënon në masën më të madhe Serbinë në sulmin terrorist në Banjskë. Nëse e marrim pikën e parë, e dënon me gjuhë shumë të ashpër dhe quan sulm terrorist dhe i bën thirrje vendeve anëtare që nëse nuk e kanë dënuar, ta bëjnë sa më shpejt”, tha Tahiri.

Ndryshe, Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Milan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.

Miratimi i kësaj rezolutë është mirëpritur nga Kuvendi i Kosovës.

/TV Arbëria

Powered by WordPress