Pasi Hamasi kreu një sulm vdekjeprurës ndaj Izraelit që çoi në një rritje serioze të tensioneve në një rajon tashmë të ndezur në Lindjen e Mesme, SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj organizatës që synonin ndërprerjen e financimit të saj.
Sanksionet synojnë nëntë individë dhe një entitet, raporton Sky News, të gjithë me qendër në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, dhe duke bllokuar qasjen në fondet e mbajtura në SHBA.
Por kush e financon Hamasin?
Grupi militant palestinez, Hamas, e përdor një rrjet global të financimit për ta kanalizuar mbështetjen nga organizatat e bamirësisë dhe vendet mike, duke i kaluar paratë e gatshme nëpër tunelet e Gazës.
Në fillim të kësaj jave, Policia e Izraelit tha se e ngriu një llogari bankare në bankën Barclays, e cila, sipas autoriteteve, lidhej me grumbullimin e të hollave për Hamasin, si dhe i bllokoi llogaritë e kriptovalutave të përdorura për të mbledhur donacione, pa treguar saktësisht sa llogari e as vlerën e tyre.
Ky vendim ofroi një pasqyrë të vogël të një rrjeti të koklavitur financiar, pak ligjor e më shumë të fshehtë, i cili është bazamenti i Hamasit, apo Lëvizjes së Qëndresës Islamike, dhe Qeverisë së tij në Rripin e Gazës, të cilën e ka udhëhequr që nga viti 2007.
Rrjedhat e parave përmes rrjetit të tyre të tuneleve nëntokësore ose duke përdorur kriptovaluta për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj tyre pasi u cilësuan një organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
Matthew Levitt, ish-zyrtar amerikan i specializuar për kundër-terrorizëm, vlerëson se shumica e buxhetit të Hamasit prej 300 milionë dollarësh është grumbulluar nga taksat ndaj bizneseve, si dhe nga vendet si, Irani dhe Katari, apo nga organizatat e bamirësisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ka prova që Irani jep deri në 100 milionë dollarë në vit për grupet palestineze, përfshirë Hamasin.
Irani ka mohuar se ka ndihmuar Hamasin të sulmojë Izraelin, të cilin nuk e njeh, por ka mirëpritur rezultatet e sulmit. Katari gjithashtu ka dërguar qindra miliona dollarë në Gaza që nga viti 2014.
Hamasi gjithashtu rrit të ardhurat përmes taksave mbi pagat, ndihmat, importet dhe aktivitetet e tjera ekonomike brenda Gazës.
Firma kërkimore TRM Labs tha se autoritetet izraelite kanë sekuestruar “dhjetëra miliona dollarë” në kriptovaluta nga adresat e lidhura me Hamasin në vitet e fundit.
Megjithatë, Hamasi, i cili e udhëheq Rripin e Gazës, do të përballet me pengesa edhe më të mëdha për sigurimin e fondeve, pas sulmit të tërbuar të militantëve të vet të cilët i vranë qindra izraelitë, kryesisht civilë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Izraeli i është kundërpërgjigjur Hamasit me bombardimet më të fuqishme ndaj Gazës në historinë e konfliktit 75-vjeçar.
/TV Arbëria