Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Abdixhiku tregon se çfarë modeli i Asociacioni i duhet Kosovës

Abdixhiku tregon se çfarë modeli i Asociacioni i duhet Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është i pandryshueshëm obligimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për këtë duhet një model “Made in Kosova”.

Ai në emisionin Konfront tha se duhet të krijohet një ekip ekspertësh juridiko-kushtetues, jopolitikë, por me vullnet politik.

“Mund të provohem gabim, por aq sa ka histori të rendit botëror është se obligimi ndërkombëtar mbetet i tillë. S’po shoh interes të forcave kryesore që të ndryshojë as për së afërmi koncepti i obligimit ndërkombëtar. Meqenëse është i pandryshueshëm, është i obligueshëm për ne, dhe s’ka amnistim për këtë faturë. Rruga jonë e vetme është se si do të dukej ky obligim në terma praktikë”, ka thënë Abdixhiku në KTV.

Ai tha se kjo është brenga më e madhe e tij kur bisedon me ndërkombëtarët.

“Nuk kam dëgjuar debat shoqëror se si do të dukej një trup pa kompetenca ekzekutive, brenda Kushtetutës e që nuk cenon rendin dy nivelesh të organizimit shtetëror të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Duke folur për dialogun tha se nëse keqmenaxhohet ky proces, e ardhmja mund të sjellë edhe ndryshimin e Kushtetutës.

Ai po ashtu ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit. Abdixhiu ka thënë se janë tri elemente që partia e tij i sheh si të gabuara në Marrëveshjen e Ohrit të arritur sivjet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, elementet kryesore të gabuara janë se marrëveshja nuk është përfundimtare, por bazë, se s’është ligjërisht e obligueshme dhe se e përmban instrumentin vetëmenaxhues për serbët.

/TV Arbëria

Powered by WordPress