Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Haradinaj këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Ai po ashtu tha se i ka kërkuar Ramës që të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
“Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
I kërkova kryeministrit shqiptar që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
/TV Arbëria