Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press (AP).
Nëse konfirmohet, atëherë ky do të jetë sulmi dukshëm më vdekjeprurës ajror nga Izraeli në pesë luftërat e deritanishme mes Izraelit dhe Hamasit që nga viti 2008.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.
Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se ende nuk ka hollësi rreth vdekjeve gjatë sulmit në spital.
“Ne do t’i mësojmë hollësitë dhe do ta njoftojmë publikun. Nuk e di a të them se ishte një sulm ajror izraelit”, tha ai.
Në jug, të martën bombardimet e pareshtura izraelite i vranë dhjetëra civilë dhe të paktën një komandant të lartë të grupit militant, Hamas, të cilat Izraelit thotë se për cak i kanë militantët.
Zyrtarët amerikanë janë duke punuar për ta bindur Izraelit të lejojnë furnizimin brenda Gazës për civilët, grupet humanitare dhe spitalet.
Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.
/TV Arbëria