10:02 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Neutraliteti i Samitit të Berlinit në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovë

Neutraliteti i Samitit të Berlinit në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovë

Shkruan: Afrim Kasolli

Atmosferë glamuroze, instilacion artistik mbi rrëmbimin e Evropës, si dhe plane e projekte për dyfishimin e ekonomik të rajonit ishin disa nga veçoritë që e karakterizuan dje Samitin e Berlinit që u mbajt në Tiranë. Mirëpo, ky Samit paraqet një dështim sa i përket qëndrimit që mbajti në raport më agresionin e Serbisë  kundër Kosovës. Ndonëse ky akt u përmend nga disa prej liderëve të pranishëm, megjithatë kryesisht dominonte një frymë neutraliteti, me përjashtim të Kancelarit Olaf Scholz kur pohoi se “morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”.

Mirëpo, në përgjithësi u potencuan tensionet fundit ndërmjet dy vendeve si dhe kërkesa imperative ndaj Kosovës dhe Serbisë për rikthim urgjent në tavolinën e dialogut në Bruksel, si  vetmja mundësi për t’i zgjidhur konfliktet. Dhe po ashtu thirrja për zbatim pa vonesa të Marrëveshjes së Brukselit dhe planin e sekuencimit të dakorduar në Ohër ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiq. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky Samit nuk është vendi i duhur për të zgjidhur problemet bilaterale ndërmjet shteteve, por një instrument për agjenda rajonale. Kurse për mosmarrëveshjet e para ekzistojnë tjera instanca.

Sidoqoftë, mbase ky Samit kishte shansin që ta dënonte agresionin e shtetit të Serbisë kundër Kosovës në formën e një konkluzioni zyrtar. Sepse është kjo sjellje konstante e shtetit të Serbisë që përbën një sabotim  edhe për integrime rajonale. Prandaj, nuk mund të realizohen as qëllimet e para pa e adresuar zyrtarisht pengesën që e paraqet Beogradi ndaj tyre.

Po ashtu një përparësi tjetër e këtij forumi qëndron në faktin se ai s’është një mjet i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian i cili ka një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës për shkak të pesë shteteve mos njohëse. Madje, ideja fillestare e tij ishte krijimi i një ombrelle politike evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor ku do të tejkaloheshin hendikpet burokratike të Brukselit. Dhe në këtë mënyrë edhe Kosova të trajtohej e barabartë sikur se shtetet tjera të rajonit. Por, që të mbrohet kjo barazi është urgjente që të mbahet përgjegjës ai shtet që e cenon atë në formë kolektive dhe zyrtare.  Sepse, në këtë mënyrë Samiti i Berlinit e mbron edhe vetveten dhe qëllimet  e tij. E në këtë drejtim ky forum dje dështoi ta bënte këtë gjë në raport me Kosovën.

/TV Arbëria