Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Irlandës në Kosovë

Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Irlandës në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës në Kosovë Ragnar Almqvist, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

Sipas komunikatës së Presidencës, temë në këtë takim ka qenë Republika e Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Presidentja Osmani poashtu njoftoi nga afër ambasadorin Almqvist lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator”, thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani e ka uruar ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Almqvist, është zotuar se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet.

“Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira”- thuhet në komunikatën e presidencës.

Tutje në këtë takim, Presidenja Osmani e ka falënderuar ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, e sidomos për mbështetjen e Irlandës ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për mbështetjen e vazhdueshme brenda Bashkimit Evropian.

/TV Arbëria

Powered by WordPress