Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar se është zvogëluar lista e pritjes për Rezonancë Magnetike në QKUK.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media.
“Bazuar në raportin e Klinikës së Radiologjisë, është zvogëluar lista e pritjes për raste ambulantore për Rezonancë Magnetike (MRI), në vetëm 3 muaj e gjysmë, nga më shumë se një vit sa ishte më parë, përderisa për pacientët e shtrirë në klinika, nuk ka fare listë të pritjes”, thuhet në njoftim.
Bazuar në raportin 9- mujor të punës, në Klinikën e Radiologjisë janë kryer 9 mijë e 683 Rezonanca Magnetike, 23 mijë e 751 pacientë në Tomografi të Kompjuterizuar (CT).
“Brenda muajit, në Klinikën e Radiologjisë, kryen 12 mijë e 500 deri në 14 mijë ekzaminime të ndryshme diagnostike për pacientët”, thuhet në njoftim.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës, aktualisht ka në funksion 3 Rezonanca Magnetike, gjë që ka mundësuar që të bëhet reduktimi i listave të pritjes.
Këtë reduktim e ka ndihmuar edhe instalimi i aparatit të Rezonancës Magnetike në Spitalin e Pejës.
/TV Arbëria