Rusia lëshoi pesë raketa dhe 12 dronë kamikazë në Ukrainë në një sulm gjatë natës.
Kështu kanë thënë forcat ajrore të Ukrainës herët të hënën, me zyrtarë që raportuan për sulme të mëtejshme artilerie dhe ajrore.
Forcat ajrore thanë se raketat, nga të cilat rrëzuan dy, kishin në shënjestër rajonet veriore dhe lindore, ndërsa dronët, nga të cilët 11 u rrëzuan, u lëshuan në disa drejtime me fokus të veçantë në Ukrainën perëndimore.
Ndërsa guvernatori i rajonit lindor të Poltava, Filip Pronin, tha se rajoni ishte sulmuar nga dronë dhe raketa dhe se, si pasojë, tre civilë ishin shtruar në spital.
“Për fat të mirë, asnjë infrastrukturë civile apo kritike nuk u godit. Megjithatë, fragmentet e raketave dëmtuan disa shtëpi private”, shkroi ai në shërbimin e mesazheve Telegram.
Rusia gjithashtu kreu bombardime artilerie dhe sulme ajrore në rajonin e Zaporizhzhia, duke dëmtuar disa ndërtesa banimi dhe infrastrukturë dhe duke plagosur një grua të moshuar.
/TV Arbëria