Kanë kaluar katër muaj që kur Karim Benzema u largua nga Real Madridi, por është ende e vështirë për madrilenët që ta pranojnë këtë largim vetëm për faktin se erdhi papritur.
Pasi fitoi gjithçka që mund të fitohej me Los Blancos, francezi u largua në drejtim të Al Ittihad, ku duket se po e shijon jetën atje.
Real Madridi në anën tjetër nuk ishte në gjendje të gjejë pasardhësin e tij, andaj fanella me numrin ‘9’ për këtë sezon ka mbetur bosh.
Megjithatë, sipas një raporti të fundit nga Marca, Karim do të kthehet në Spanjë në vitin 2024, edhe pse jo për shumë kohë.
Gazetari Jose Felix Diaz pretendon se Real Madridi ka në plan të nderoj karrierën e Benzemas duke aranzhuar një miqësore ndaj skuadrës saudite në Bernabeun e ri verën e ardhshme.
Benzema ishte bërë pjesë e klubit spanjoll në vitin 2009 pasi u transferua nga Lyoni për shifrën e 35 milionë eurove.
Gjatë qëndrimit në klub për më shumë se një dekadë, ai shënoi plot 354 gola dhe kontriboi me 165 asistime.
Në këtë periudhë ai fitoi 25 trofe në mesin e të cilave pesë herë Ligën e Kampionëve, si dhe u shpall fitues i Topit të Artë në vitin 2022 pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në atë kompeticion.
/TV Arbëria